Flash News

E-TJERA

Celibashi paralajmëron komisionerët: Nëse cënohet vota ka sanksione të rënda, 1-7 vite burg; flet për materialet zgjedhore

Celibashi paralajmëron komisionerët: Nëse cënohet vota ka
Ilirjan Celibashi

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi se sot mbërrijnë fletët e votimit për disa qarqe, ndërkohë që vijon shpërndarja në disa të tjera. Ai bëri me dije ka përfunduar procesi i instalimit të aparaturave monitoruese.

“Po e nis me procesin e printimit të fletëve. Ne kemi përfunduar, kemi të magazinuar dhe kemi filluar ndarjen e fletëve të votimit për qendrat e Votimit në Vlorë, Korcë, Elbasan dhe Fier.

Sot në drekë mbërrijnë edhe fletët e votimit të qarqeve të tjera, Tirana, Kukësi, Durrësi, Dibra, Lezha dhe Shkodra. I kemi fletët e votimit këtu në magazinën e KQZ, dy dita para pritshmërive tona. Kemi siguruar kamerat e vëzhgimit për të 5199 qendrat e votimit, janë shpërndarë në të gjitha KZAZ. Në ditët në vijim do të shpërndahen në çdo qendër votimi.

Kemi përfunduar procesin e instalimit të kamerave të vëzhgimit, kamerat që do të demonstrojnë procesin e votimit dhe gjithë arsenalin tjetër të procesit. Kemi në proces rekrutimin e operatorëve, të cilët do të përdorin pajisjen e identifikimit elektronik. Numri i aplikimeve është i madh, rreth 13 mijë aplikantë”, tha Celibashi.

Ai paralajmëroi komisionerët, që do të angazhohen në procesin zgjedhor, se do të përballen me sanksione të rënda, nëse do të cënojnë votën e qytetarëve.

“KQZ nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast asnjë komisioner, që do të vërë në provë forcën e ligjit për çdolloj arsye.

Ka sanksione shumë të ashpra ndaj atyre që përpiqen të cenojnë integritetin e votës së qytetarëve. Do të kemi gjithë vëmendjen për të evidentuar të gjitha këto raste dhe për të reaguar në përshtatje me ligjin”, u shpreh ai.

I pyetur për hapjen e kutive të votimit, nëse një gjë e tillë do të kërkohet nga një subjekt politik,  Celibashi tha se do të bëhet, por nëse rezultati i këtyre fletëve nuk do të jetë i njëjtë me atë të dalë më parë, do të përballen me sanksione të rënda 1 deri në 7 vite burg përgjegjësit.

“Ka një gjë që dua ta sjell në vëmendje. Me dispozitat e reja të Kodit Zgjedhor është sanksionuar e drejta e çdo subjekti, që qoftë dhe pa asnjë arsye apo shkak të kërkojë hapjen e kutive të votimit dhe të bëhet vlerësimi ose këqyrja e fletëve të votimit për të parë nëse votat janë në përputhje me rezultatin, që kanë konfirmuar komisionerët apo jo. Nëse do të rezultojë e kundërta, ata që do jenë përgjegjës për këtë, ka penalitet shumë të rënda, 1 deri në 7 vite burg”, tha Celibashi.

Të fundit