Flash News

E-TJERA

David Wisner: Një opozitë energjike është thelbësore për çdo demokraci të shëndetshme

David Wisner: Një opozitë energjike është thelbësore

I ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, David Wisner, ka komentuar zhvillimet e fundit në Parlamentin shqiptar, kaosin dhe tensionet mes opozitës dhe mazhorancës, pasi kjo e fundit vijon të miratojë ligje në Kuvend, pa votat e opozitës.

Në një intervistë për Panorama, Wisner tha se ndërkombëtarët e kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ngërçin e krijuar në Kuvend dhe se duhet që të ketë debat konstruktiv mes të dyja palëve.

“Siç e kemi pohuar më parë, një opozitë energjike është thelbësore në çdo demokraci të shëndetshme. Thënë kjo, Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga partnerët tanë, përfshi Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi shprehur shqetësim për ngjarjet që janë zhvilluar në Parlament gjatë muajve të fundit.

Sigurisht që mund të ketë mosmarrëveshje për politikat, por ka nevojë për dialog konstruktiv, debat me respekt, si dhe pranimi se zyrtarët e zgjedhur nga çdo parti politike punojnë për njerëzit, për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë, si dhe për ta çuar Shqipërinë përpara në rrugën e saj euro-atlantike.

Edhe Kongresi ynë ka debate shumë energjike dhe ndonjëherë plot kundërshti, përfshi edhe nëpërmjet komisioneve tona hetimore. Hetimet tona, në shumë raste, kanë çuar në përparim të rëndësishëm politik dhe të politikave. Si parim i përgjithshëm, mekanizmat legjislative marrin kohë dhe janë të vështira, por një gamë mjetesh janë me rëndësi për të siguruar që demokracitë t’i debatojnë zhvillimet”, ka thënë Wisner.

Ndër të tjera, Wisner theksoi se vendit i duhet një opozitë e gjallë dhe energjike dhe se janë votuesit shqiptarë ata që zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

“Janë votuesit shqiptarë që zgjedhin zyrtarët dhe përfaqësuesit e tyre në Parlament. Prandaj zgjedhjet janë aq të rëndësishme në demokraci. Edhe partitë politike kanë përgjegjësinë që të sigurohen se nxjerrin kandidatë, që meritojnë besimin e publikut dhe që do t’u shërbejnë interesave më të mira të zgjedhësve të tyre. Një opozitë e fortë, e gjallë, një shoqëri civile aktive dhe vigjilente, si dhe një shtyp i lirë dhe i pavarur janë të gjitha thelbësore në çdo demokraci të shëndetshme”, tha Wisner.

Të fundit