Flash News

E-TJERA

Dozë e tretë vaksine në Shqipëri? Mjekja: Me 20% të popullatës së vaksinuar, jeni shumë larg

Dozë e tretë vaksine në Shqipëri? Mjekja: Me 20% të

Një ditë më parë një studim i Akademisë së Shkencave sugjeronte vaksinim e popullsisë me moshë mbi 60 vjeç dhe të personave me sëmundje kronike, me dozën e tretë të vaksinës.

Në një intervistë për mediat pak para nisjes se konferencës së bluzave të bardha në Urgjencën Kombëtare, kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg tha se ky mision mund të jetë i vlefshëm vetëm për vendet që kanë vaksinuar afro 80% të popullsisë, dhe jo Shqipëria që është ende në nivelin e 20%.

"Vlen vetëm për vende që kanë arritur 80% të vaksinimit të popullatës me dy dozat e para. Shqipëria ka të vaksinuar vetëm 20% të popullatës. Jemi shumë larg minimumit për dy dozat e para dhe doza e tretë nuk diskutohet të paktën për këtë vit. Mbase për vitin tjetër nëse do të shprehet më shumë vullnetarizëm te qytetarët dhe më shumë besim te mjekësia dhe shkenca atëherë mund të flasim për një dozë të tretë dhe të katërt vitin tjetër,” deklaroi kryetarja e Federatës.

Lidhur me vaksinimin e fëmijëve në moshën mbi 12 vjeç, Dollenberg u shpreh se është një proces që në Evropë po vijonte sukses dhe se Shqipëria duhet të vazhdojë njësoj si vendet e tjera të rajonit evropian.

"Janë tema që Europa i ka kaluar me tre muaj. Vaksinimi për fëmijët mbi 12 vjeç ka filluar prej disa muajsh dhe po bëhet me sukses në pjesën më të madhe të vendeve europiane. Në Gjermani 80% e fëmijëve që vizitojnë shkollën e  kanë marrë vaksinën. Në Shqipëri jemi me përqindje shumë herët më të ulët. BioNTech është i licencuar për moshat e reja dhe për adulte do të ishte ideale. Për të gjithë skeptikët, vaksina BioNTech, AstraZeneca,  Johnson & Johnson, Sinovac që është shumë e preferuar do të ishte një alternativë e sigurt.

Po aplikohet te miliona njerëz. 60% e popullatës së Europës është vaksinuar ndërsa Shqipëria është te 20%. Është një kompleks, si sistemi mjekësor ashtu dhe ndërgjegjia qytetare duhet të përmirësohen. Sa i përket fëmijëve, grave shtatzënë, të sëmurëve kronikë, duka të them që nuk kemi pasur asnjë pacient të infektuar nga Covid, që ka marrë vaksinën, që të ketë vdekur. Vaksina të mbron jetën dhe pse infektueshmëria është e mundshme me simptoma të lehta,” u shpreh Dollenberg.

Dollenberg shtroi edhe mundësinë për të rritur trajnimin e bluzave të bardha, qoftë nga ana praktike qoftë edhe në përvetësimin dhe thellimin e më shumë njohurive.

"Me hapjen e shkollave dhe universiteteve patjetër që rreziku i Deltës dhe mutacioneve të reja mund të çojë dhe në një valë të katërt. Duhet një trajnim i rregullt i personelit mjekësor, kanë nevojë për aktualizim të njohurive të tyre. Duhet investuar më shumë te resurset e bluzave të bardha duke u dhënë dhe bonuse për punën ekstra që mund të bëjnë në formën e këshillimit," përfundoi kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë.

Të fundit