Flash News

E-TJERA

E larguan nga detyra, Allkja: Asnjëherë nuk e kam shkelur Kodin Etik; Opozita: Dënim politik, po mbajmë shënim çdo gjë

E larguan nga detyra, Allkja: Asnjëherë nuk e kam shkelur Kodin Etik;
Foto ilustrim

Pas pezullimit nga detyra, mjeku Ilir Allkja ka dhënë një prononcim për mediat. Ai ka thënë se nuk e ka shkelur kodin etik gjatë ushtrimit të profesionit dhe se nuk ka nxjerrë asnjëherë sekrete që kishin të bënin me jetën e pacientit.

Ai tha për“SyriTv”se gjëja kryesore në demokraci është liria e fjalës, ndaj dhe i ka thënë hapur mendimet e tij.

Lidhur me largimin nga puna të mjekut Allkja ka reaguar edhe opozita.

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia thotë se shkarkimi i mjekut për arsyen se ngriti zërin për disa të vërteta tregon armiqësinë e pushtetit, duke e cilësuar rast unik.

“Armiqësia e pushtetit ndaj një mjeku si Ilir Allkja duhet të jetë rast unik në botën demokratike. Shkarkimi i një mjeku të vijës së parë për agjitacion dhe propagandë në kulmin e pandemisë do të thotë se Edi Rama nuk pyet aspak për interesin publik”, shkruan Spahia në Facebook.

Më herët ishte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi që reagoi lidhur me këtë ngjarje. Ajo e cilësoi të padrejtë largimin nga detyra të Allkjas, duke shprehur solidarizim me të gjithë ata që shkarkohen nga puna në një mënyrë të tillë.

“Solidarizohem me mjekun Ilir Allkja, i cili është një prej shumë qytetarëve të larguar nga puna në mënyrë të padrejtë nga Rilindja. Kjo situatë nuk ka nisur sot, por ne kemi dhe jemi duke mbajtur shënim çdo gjë. Qeveria e re do t'i riparojë këto padrejtësi duke krijuar hapësirat për rikthimin e tyre në punë, si dhe duke riparë të gjithë motivacionin e gjobave të presionit ndaj bizneseve dhe çdo subjekti të cilin Rilindja e trajton si armik”, thotë Kryemadhi përmes një postimi në rrjetet sociale.

Të fundit