Flash News

E-TJERA

Edhe BE kërkon transparencë në zgjedhjen e kreut të SPAK: Duhet një person i pavarur

Edhe BE kërkon transparencë në zgjedhjen e kreut të SPAK:

Në një zhvillim kyç për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, do të jetë nesër i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku pritet të zgjidhet kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Në një takim të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe KLP-së, Gonzato u shpreh se procesi i nesërm duhet të tregojë përgjegjësi, transparencë dhe integritet maksimal.

Në një mesazh të shpërndarë, ai e vendos theksin tek rëndësia e zgjedhjes së një drejtuesi të pavarur, profesionist dhe të përkushtuar ndaj standardeve më të larta të BE-së, duke e konsideruar këtë një moment vendimtar për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, mori fjalën në takimin e sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë.

Ai theksoi dy çështje që mbeten kryesore për gjyqësorin: vlerësimet realisht transparente dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve për sigurinë në gjykata.

Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, thuhet në reagimin e shpërndarë nga ambasada.

Të fundit