Flash News

E-TJERA

Financimi rus për Bashën vë në lëvizje SHBA/ Zbardhet takimi i Kim me Celibashin dhe përfaqësuesit e partive politike

Financimi rus për Bashën vë në lëvizje SHBA/ Zbardhet

Një ditë pasi doli raporti, se ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka marrë 500 mijë euro nga Rusia, ambasadorja amerikane Yuri Kim shkoi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Ajo u takua me drejtuesin e këtij institucioni, Ilirjan Celibashin dhe deputetët, Damian Gjiknuri, Jorida Tabaku dhe Monika Kryemadhi.

Ndryshe nga Kim, pjesmarrësit e tjerë në takim dhanë nga një prononcim të shkurtër për mediat, ku bënë me dije se fokusi i diskutimeve ishte financimi rus. Celibashi tregoi mesazhin që Kim i përcolli atij, por edhe politikanëve.

“Me pak fjalë nga ambasadorja Kim u përcoll shqetësimi i SHBA si partneri dhe aleati ynë strategjik në lidhje me financimet e huaja të politikës shqiptare dhe specifikisht financimeve ruse.

Nën dritën e informacioneve të fundit që ata disponojnë përcollën shqetësimin tek aktorët institucional dhe politik shqiptar, me qëllim që të rritet vëmendja dhe çfarë është në fuqinë e tyre për të bërë më mirë me qëllim që paratë dhe financimet e huaja, jo vetëm ato ruse mos të kenë ndikim në politikën shqiptare”, tha Celibashi.

Kryemadhi deklaroi gjithashtu se u ngrit si shqetësim tentativa e Rusisë për të financuar partitë politike në Shqipëri. Ajo kërkoi që të gjitha partitë të bëjnë publikë donatorët. Kryemadhi paralajmëroi se ‘kush e ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur do vjellë gjithë jetën’.

“Përsa i përket ndërhyrjeve në financimin e partive politike, ka ardhur koha që partitë e tjera të marrin nismën e LSI-së që të gjithë donatorët t’i bëjnë publik me emër dhe mbiemër! Siç i lexojnë apo padisin donatorët e PL-së sot, por të shohin edhe donatorët e partive të tjera me emra konkret.

Në takim nuk u përmendën emra partish, di të them që ka një proces, ka një hetim që po zhvillohet brenda vendit dhe jashtë Shqipërisë. Nuk do mbetet gjë pa dalë, kush e ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur do vjellë gjithë jetën”, tha ajo.

Ndërsa Damian Gjiknuri tha se do të forcohen dispozitat për fushatën zgjedhore.

“Ky është një shembull sesi ne partitë politike duhet të evitojmë përfshirjen me financime që nuk i bëjnë mirë këtij vendi. Ne do të diskutojmë, kemi një komision të reformës zgjedhorë që mund të forcojë dispozitat në lidhje me financimin e fushatës.

Fokusi i bisedës ishte shqetësimi që kanë aleatët tanë për përfshirjen e influencave ruse qoftë në partitë politike, apo qoftë në organizata të tjera mediatike përmes formave indirekte.

U transmetua shqetësimi nisur edhe nga raporti i fundit dhe u bisedua që këto shqetësime janë reale dhe partitë të marrin masa që këto mos të ndodhin”, u shpreh Gjiknuri.

 

 

Të fundit