Flash News

E-TJERA

Humbja e PD, Shano: Fajin e ka i pari i punës, i duhet ndryshim i thellë dhe një lider që mund ta fitojë pushtetin

Humbja e PD, Shano: Fajin e ka i pari i punës, i duhet ndryshim i
Analisti Dritan Shano

Analisti Dritan Shano ka folur për zgjedhjet e 25 prillit dhe humbjen e PD. Ai thotë se Partia Demokratike nuk e ka përmbushur këto 8 vite, misionin e saj. Gjithashtu thekson se PD është krijuar për të qenë në pushtet. Analisti nënvizoi se PD ishte e vonuar në përgatitjet për zgjedhjet, ndërsa PS ishte më e përgatitur.

“PD-ja është bërë për të qeverisur dhe jo për të marrë pjesë në Parlament. Kjo detyrë ka 8 vite që nuk është përmbushur. Ka disa që thonë se është rritur vota, por unë them që PD-ja është krijuar për të qenë në pushtet. Unë nuk mund të entuziazmohem për rezultatin, pasi është njësoj sikur trajneri të thotë “bravo se bëtë 3 gola”, kur kundërshtari bëri 4 gola. Se çfarë do të bënte Edi Rama, kjo dihej. Ne zgjedhim ekipe që mund të bëjnë një gol më tepër sesa Rama. Këtë duhet të bëjë tani PD-ja”, deklaroi Shano në "Dita jonë".

I pyetur për përgjegjësinë që ka kryedemokrati Lulzim Basha për këtë humbje, Shano tha: Në një ekip, fajin e ka i pari i punës. Partia është gjithmonë më e madhe sesa kryetari. Nuk vdes partia pa kryetarin.

Ai shtoi se PD ka nevojë për një lider që ka aftësi të fitojë pushtetin. Shano evidentoi nevojën që ka partia Demokratike për një ndryshim të thellë, duke vënë theksin te zgjedhjet që do të mbahen në muajin korrik për kryetarin.

"Neve na duhet një lider që është në gjendje që të fitojë pushtetin. Mua nuk më duhet një lider i pashëm, i gjatë dhe që flet ëmbël. Nëse zoti Basha mendon se duhet të qëndrojë sërish në krye të PD-së, edhe pse nuk e ka përmbushur objektivin, është në dorën e tij. A e jep dorëheqjen Basha tani apo më vonë, nuk e di. Ajo që di unë është që PD-ja duhet të ndryshojë thellë dhe fort. Më 22 korrik janë zgjedhjet për kryetarin. Para 4 vitesh e mbështetët, mori 90% të votave dhe ajo mbështetje ishte puthja e fundit për këtë njeri”, u shpreh analisti.

Të fundit