Flash News

E-TJERA

Atentati në Don Bosko/ Shënjestër ishte daja i viktimës, dyshohet të jetë mbajtur nën vëzhgim

Atentati në Don Bosko/ Shënjestër ishte daja i viktimës,
Pamje nga vendngjarja

Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i djeshëm në zonën e Don Boskos, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 4 të tjerë.

Nga informacionet paraprake të grupit hetimor, dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë daja i viktimës, Edmond Crroj, i akuzuar vite më parë për trafik droge në Itali.

Dyshohet që autorët e atentatit ta kenë gjurmuar prej kohësh Crrojn, duke ndjekur çdo lëvizje të tij, derisa kanë pritur rastin për ta sulmuar. Edmond Crroj rezulton një person me precedentë të theksuar penal jashtë vendit.

Nga breshëria e kallashikovit mbeti i plagosur vëllai i viktimës, Blerim Çela 41 vjeç, vetë Edmond Crroj, miku i tij Aren Dani dhe një klient i rastësishëm, Azbi Selimaj 19 vjeç. Viktimë e atentatit është Erion Çela, që dyshohet të jetë identifikuar edhe me emrin Adriatik Çela.

Në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë nga të shtënat, teksa dyshohet që të gjitha të kenë mbetur në makinën e autorëve. Të pyetur nga uniformat blu, Arben Dani dhe Azbi Selimaj, kanë deklaruar se kanë parë vetëm plumbat e zbrazur kundrejt tyre, dhe jo autorët.

Pista kryesore e hetimit mbetet aktiviteti kriminalit i të përfshirëve në ngjarje, pasi në Shqipëri të gjithë rezultojnë pa precedent penal. Nga ana tjetër, paraprakisht bëhet me dije se targat e mjetit me të cilin lëviznin autorët, rezultojnë të vjedhura në Vlorë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16:45 në një lokal në zonën e Don Boskos,ku viktima dhe të plagosurit ishin duke konsumuar kafe, përveç Azbi Selimajt që ishte një klient i rastit i cili s’kishte lidhje me të tjerët. Autorët e ngjarjes me një mjet tip “Mercedes Benz E-Class” kanë shtënë me breshëri kallashnikovi kundrejt personave brenda lokalit, duke lënë të vdekur Erion Çelën dhe duke plagosur katër të tjerët.

 

Të fundit