Flash News

E-TJERA

“Ikën ai k*rva i Tiranës”, gabimi që çoi drejt fundit Pëllumb Gjokën. Si ‘i forti i Velipojës’ fshihej pas profilit si biznesmen

“Ikën ai k*rva i Tiranës”, gabimi që çoi drejt

Ai ishte një njeri shumë i fuqishëm në veri të vendit. Një biznesmen të cilit i përuleshin të gjithë.

Deri edhe vetë politika në Tiranë, ku ai ia kishte dalë të imponohej dhe të shtrinte me sukses lidhjet e tij deri në rangjet më të larta të saj, aq sa të fitonte deri edhe statusin e ‘investitorit strategjik’.

Një status i shpërblyer për të nga qeveria Rama, që do ti mundësonte investimin deri në 50 milionë euro në lojërat e fatit.

Pavarësisht se e shkuara dhe e tashmja e tij, ishin të lidhura me episode të shumta të dyshimta të botës së krimit.

Ku ai përflitej se ishte njëkohësisht Zot dhe dorëzanë, i disa prej këtyre ngjarjeve kriminale të pazbardhura. Krime të paprovuara, por që do të duhej një dosje përgjimesh e mbërritur nga autoritetet franceze për llogari të SPAK, për të na rrëfyer për herë të parë të plotë disa prej mistereve të ngjarjeve të kronikës së zezë të ndodhura në veri të vendit.

Në harkun kohor të viteve të fundit.

Ky është Pëllumb Gjoka.

Profili në dukje i një biznesmeni të tërhequr, që daljet publike i ka tejet të rralla.

Personazhi që në zonën e tij njihej si ‘I forti i Velipojës’, tejet aktiv në sipërmarrjet e tij, por që mesa duket krahas punës si biznesmen i suksesshëm, fshihte pas këtij profili të nderuar edhe anën e errët të një organizatori krimesh. Por si erdhi zbulimi i aspektit kriminal të dyshuar të këtij biznesmeni?

Cili ishte gabimi që e çoi drejt fundit të tij?

Dhe pse SPAK, u kërkoi partnerëve të tij francezë, përgjimet e aplikacionit Sky ECC, i konsideruar si i pathyeshëm, për të parë se cilat ishin komunikimet e Gjokës dhe grupit të strukturuar kriminal që fshihej pas tij?

Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, gjithçka duket se nis pas kallëzimit të familjarëve të shtetases Drande Hoti Gjoka.

Një 99 vjeçare, e cila kishte lënë në testamentin e saj, një sipërfaqe toke prej 39 hektarësh në pyllin e Velipojës.

Por që në vitin 2022, familjarë të saj të afërt pjesë e testamentit, shikojnë se si ishin përjashtuar nga trashëgimia pronësore.

Kallëzim i kryer SPAK më 16 Janar 2023, nga shtetasit Lule Zefi dhe djali i saj Donald Zefi.

Të cilët pretendonin se janë trashëgimtarë të shtetases Drande Hoti dhe se pasuritë e paluajtshme të kësaj shtetaseje, me sipërfaqe prej 39 hektarësh në fshatin Pulaj, komuna Velipojë, janë tjetërsuar dhe marrë në mënyrë të paligjshme nga shtetasit Pëllumb Gjoka në bashkëpunim me persona të tjerë, përfshirë dhe zyrtarë.

Do të ishte pikërisht ky episod i tjetërsimit të një sipërfaqe të tillë prone, që sipas Prokurorisë së Posaçme, do të sillte edhe zbulimin e aktivitetit kriminal të Pëllumb Gjokës, por edhe të personave të tjerë që bashkëpunonin me të.

Por përpara se të shkojmë te ky episod i fundëm i tjetërsimit të një prone, që çoi në nisjen e një hetimi ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe grupit të strukturuar kriminal që fshihej pas tij,

Zbulimi i parë tronditës që SPAK bëri me marrjen në dorë të bisedave të zhvilluara nga ky grup në aplikacionin SKY ECC, ishte zbardhja e mekanizmit të vrasjes së shtetasit Gjin Boriçi që mbante edhe emrin Ndoji.

Ngjarje e ndodhur më datë 9 gusht 2020 në kryqëzimin e rrugës së fshatit Shkjezë me rrugën nacionale Shkodër-Lezhë.

Ku ai u gjet i vrarë disa metra larg makinës BMW që kishte marrë me qira.

Por çfarë lidhje ka vrasja e Gjin Boriçit me Pëllumb Gjokën dhe kush janë ekzekutuesit, që sipas gjurmëve të bisedave që ata kishin lënë në komunikimet e SKY ECC, ishin pikërisht shokë të ngushtë me viktimën?

Përse kjo mizori ndaj shokut të tyre dhe si shkuan ata për ngushëllim në familjen e mikut të ngushtë, që ata kishin vrarë pikërisht po vetë.

Mesa duket për t’i dhënë një drejtim tjetër ngjarjes.

Sipas përgjimeve të zbardhura nga SPAK, falë bisedave të kryera në aplikacionin SKY ECC, pjesëmarrës në këtë krim janë Pëllumb Gjoka, i cili në këto biseda, mban pseudonimin ‘Kolombo’.

Behar Brajoviq (Bajri), që mban disa pseudonime të njohura si ‘Daci’, ‘Lopata’ apo ‘Kapedani’

‘Deno’ apo ‘Denis’ për Denis Brajoviq (Bajri).

‘Mondi’, Edmond Preka, që rezulton të jetë shoferi i biznesmenit Pëllumb Gjoka.

‘Dori’, Klaodor Haka.

Si edhe Ervis Martinaj, i njohur me kodin ‘V’.

Martinaj, që nuk dihet për çfarë arsye, del të jetë i interesuar si personi në vetë të parë për ekzekutimin Boriçin. I cili në vazhdim të përgjimeve thotë se është gati të paguajë edhe një shumë të madhe parash për eliminimin e tij.

Por që garant për të, për vrasjen e Boriçit, del të jetë Pëllumb Gjoka.

Veprime të cilat SPAK pretendon se janë provuar para dhe pas vrasjes.

Përgjimet

Më datë 7 Gusht 2020, ora 12.23 shtetasi Behar Brajoviq komunikon me Pëllumb Gjokën.

Pëllumbi i shkruan: Kur mendon?

Në orën 18. 11, Behari i shkruan: ‘Nesër mbrëma kryhet një punë dhe atëherë për një javë kryhet puna jote.

Pëllumbi i shkruan: ‘Ok vëlla’.

Siç shikohet, ky komunikim i përket datës 7 gusht 2020.

Pra dy ditë përpara se të konsumohet krimi ndaj Gjin Boriçit.

I cili nuk është në dijeni se ekzekutuesit e tij, ata që do ta nxjerrin në pritë, janë pikërisht shokët e tij të ngushtë.

Behar Brajoviq, që është krahu i armatosur i Bajrave në Shkodër, pasi e siguron Pëllumb Gjokën se kjo punë, pra vrasja e Gjin Boriçit, do të kryhet shpejt, i premton po ashtu atij se shpejt do të kryhet edhe puna e tij.

Ndërkohë që përgjatë dy ditëve grupi i ngritur për të vrarë Gjin Boriçin për llogari të Ervis Martinaj, kapet në çdo bisedë duke u kujdesur që të mos u shpëtojë asnjë detaj në lidhje me skenarin e ekzekutimit.

Më datë 9 gusht në orët e para të mëngjesit, Behar Brajoviq, këtë herë del në komunikim me Edmond Prekën.

Përgjimet

Edmondi e pyet, nëse do të marrë njeri me makinë?

Behari i shkruan që, do të marri dy veta.

Behari i tregon që makinën do ta djegin sa të kryejnë punë dhe do të ecin në këmbë, do të marri vetëm këto të dy, ti mbaj brenda diku.

Behari i tregon që, sa të kryhet ky, ikën ai kurva i Tiranës sepse kështu e kam lënë me të, me ndërrim.

Siç shikohet edhe nga komunikimi i mëposhtëm ekzekutimi i Gjin Boriçit, kryhet diku midis orës 1.00 dhe 2.00 të mëngjesit të datës 9 gusht.

Dhe besohet që në makinë me të, të ketë qenë edhe Denis Brajoviq.

Kjo me qëllim për të hequr çdo dyshim te shoku i tyre, mbi atë çfarë do t’i ndodhë pas pak.

Ndërkohë që në orën 00.27 të mëngjesit, në përgjime del edhe Ervis Martinaj, i cili komunikon me Denis Brajoviq.

Dosja Hetimore

Në orën 00.27, Ervis Martinaj komunikon me Denis Brajoviq.

(Në këtë komunikim figurojnë të regjistruara vetëm bisedat e shkruara nga Denis Brajoviq).

Denisi i shkruan: Hë vëlla, më shkruaj këtu se jam duke lënë celularin në shpi.

Tu dal jam, prit televizorin.

Në orën 01.54, Behar Brajoviq komunikon me Denis Brajoviq.

Denisi i shkruan Beharit: ‘Para e kemi”.

Në orën 01.58, Behar Brajoviq komunikon me Edmond Prekën.

Në orën 02.02, Behar Brajoviq komunikon me me Denis Brajoviq.

Denisi i shkruan Beharit: ‘Kruvi’, jemi në Bushat dhe të na presi aty ai, se jemi afër.

Pra mesa kuptohet nga biseda. ‘Kryvi’, do të thotë se Gjin Boriçi, tashmë është ekzekutuar.

Fill më pas Behar Brajoviq, kujdeset që të vendosë në dijeni menjëherë edhe Pëllumb Gjokën.

I cili pasi mëson që puna u krye me sukses, nuk harron që ti çojë viktimës, sipas mënyrës së tij të fala.

Marrë nga Balkan Web

Të fundit