Flash News

E-TJERA

“Kriminelët po e ndjejnë presionin”/ Dy deklaratat e forta të Yuri Kim për drejtësinë në një javë

“Kriminelët po e ndjejnë presionin”/ Dy deklaratat e forta

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e ka vendosur jo pak herë në shënjestër drejtësinë shqiptare. Kim, përmes mesazheve të shpërndara në rrjete sociale apo deklaratave televizive, ju është drejtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve referuar rasteve dhe çështjeve në gjykim.

Së fundmi, Kim zhvilloi një takim SPAK me gjyqtarë dhe prokurorë të GJKKO-së. Për rreth një orë, Kim bisedoi me gjyqtarët dhe prokurorët duke ju lënë një mesazh mbi punën e tyre.

Ambasada amerikanë në Tiranë ka zbardhur takimin e tyre me Kim. Ambasadorja ju ka theksuar se kriminelët kanë filluar ta ndjejnë presionin e drejtësisë, duke përmendur edhe zyrtarët të cilët janë arrestuar dhe po vuajnë dënimin, siç është rasti i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

“Vendimet tuaja kanë rritur besimin e publikut tek institucionet e drejtësisë, u mundësuan partnerëve ndërkombëtarë që të fillojnë sërish t'u besojnë homologëve shqiptarë dhe më e rëndësishmja, u thanë njerëzve të këqinj se ligji po funksionon. Shqipëria nuk ka parë kurrë që zyrtarë të tillë të lartë të shpallen fajtorë me vendime përfundimtare. Kjo është një kohë kritike për reformën në drejtësi. Kriminelët po e ndjejnë presionin. Kjo do të thotë se përpjekjet e tyre do të jenë edhe më intensive dhe ju duhet të rezistoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli shqiptar nuk duan që gjykata të kthehet në mënyrat e vjetra. Le të sigurohemi që ato kohë të mbeten në të kaluarën, njëherë e përgjithmonë”, shkruan ambasada amerikane në Facebook.

Thirrja për gjyqtarët dhe prokurorët

Më 11 tetor, përmes një postimi në Twitter ambasadorja Kim shkroi se SHBA-të janë të vetëdijshme për një presion dhe tentativë për të joshur prokurorët dhe gjyqtarët në mënyrë që të mos ndëshkojnë të fortët.

Kim në postim, kërkonte nga njerëzit e drejtësisë të kryejnë detyrat e tyre dhe bënte thirrje për të thyer ‘prangat’ e korrupsionit.

“Ne jemi të vetëdijshëm për më shumë përpjekje për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve - me fjalë të tjera, për të tërhequr Shqipërinë në të kaluarën. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integritet. Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Shqipëria duhet të ecë përpara, jo mbrapa, madje as të qëndrojë në vend. SHBA po i kushton vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi”, shkruan Kim.

Deklaratat e Kim vijnë disa javë pasi ish-deputeti socialist Alqi Bllako u la i lirë, pas akuzave për korrupsion dhe shpërdorim detyre si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Bllako u lirua me argumentin se është baba i tre fëmijëve të mitur të cilët kanë nevojë për kujdesin e tij. Ndërsa lidhur me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili ndodhet në qeli po për aferën e inceneratorëve, gjykata vendosi të mos e pranojë kërkesën për zbutje të masës së sigurisë.

Vetë avokati i Kokës lëshoi një kërcënim para mediave teksa tha se do të dëgjohen fakte të pa dëgjuara më parë nga Koka.

Mesa duket, lirimi i Bllakos, nuk ka shqetësuar vetëm Lefter Kokën, por edhe ambasadoren amerikane. Pas vendimit për nxjerrjen nga qelia të ish-socialistit, Kim lëshoi mesazhet ndaj njerëzve të drejtësisë dhe zhvilloi takime me gjyqtarë e prokurorë për t’iu ritheksuar rolin e tyre mbi fatin e të korruptuarve.

Të fundit