Flash News

E-TJERA

Kadilli rikonfirmon kandidaturën për të drejtuar PD: Basha të japë dorëheqjen, i paaftë për të prodhuar fitore

Kadilli rikonfirmon kandidaturën për të drejtuar PD: Basha
Fatbardh Kadilli

Ish-deputeti i PD, Fatbardh Kadilli ka rikonfirmuar kandidaturën e tij për drejtimin Partisë Demokratike, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha. Pas humbjes së PD në zgjedhje, Kadilli kërkoi largimin e Bashës, ndërsa shpalli kandidaturën për të qenë ai drejtuesi i kësaj force politike.

"Jam këtu për të konfirmuar edhe një herë vendimin tim për të kandiduar për Kryetar të Partisë Demokratike. Jam këtu për t’i kërkuar edhe njëherë Lulzim Bashës të dorëhiqet. Projekti dhe ekipi tij u provua i paaftë për të prodhuar fitore për demokratët. Si i tillë ka shterruar dhe nuk jep më opsione për të ardhmen.

E kemi mbështetur dhe e kam mbështetur me vetëmohim. E theksoj, me vetëmohim, për të na drejtuar në fitore. Nuk ia doli. Nuk qe i zoti. Nuk diti. Dështoi", tha Kadilli në një deklarate për mediat.

Ai shtoi se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe se PS përdori çdo mjet për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Kadilli u shpreh se edhe OSBE/ODIHR konfirmoi pretendimet e opozitës për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

"Jam këtu për të deklaruar se zgjedhjet ishin dhe mbeten të pandershme. Pushteti përdori çdo mjet për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Nga blerja e votës të përdorimi i çdo teknike ligjore dhe administrative, si ndryshimi i Kodit dhe mbyllja e kufirit me Greqinë. Provat individuale që janë kapur dhe dokumentuae qe do të publikohen do ta konfirmojnë fenomenin. Çdo provë duhet të ndëshkohet sipas ligjit", tha Kadilli. 

Ky i fundit shtoi se: Beteja ligjore nuk mund dhe as duhet të shërbejë për radikalizim politik. Çdo tensionim është i qëllimshëm. Nuk i shërben interesit të demokratëve dhe as shqiptarëve, dhe kërkon të blindojë portën e PD. Barrikada para portës nga ku Lulzim Basha deklaroi që nuk dorëzohet, është e tepërt.

 

Të fundit