Flash News

E-TJERA

‘’Kameleonët’’/ Goditet grupi i krimeve kibernetike, 6 në pranga. Kanë marrë qindra transaksione financiare, si vepronin

‘’Kameleonët’’/ Goditet grupi i krimeve

Policia ka goditur një grup që ushtronte veprimtarinë kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe si rezultat ka arrestuar 6 persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

Si rezultat i operacionit të koduar "Kameleonët" janë vënë në pranga shtetasit: Klajdi Likaj, 23 vjeç; Dionis Daka, 29 vjeç; Genci Roko, 41 vjeç; Elis Molla, 37 vjeç të katër banues në Pogradec, si dhe Kledi Hamati, 27 vjeç dhe Leonard Kalaja, 39 vjeç banues në Tiranë. Në kërkim është shpallur shtetasi Klinti Cani, 23 vjeç, banues në Pogradec.

Sipas burimeve zyrtare, materiali hetimor kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë ose jo, të cilët kanë qenë të interesuar për të ndihmuar të mitur me probleme shëndetësore.

Për këtë arsye, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare. Tërheqja bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.

Këta shtetas, për një periudhë rreth 6-mujore, kanë arritur të marrin qindra transaksione financiare nga shtetas shqiptarë ose jo, të cilët janë me banim në territorin e Shqipërisë, por dhe jashtë saj.

Në cilësinë e provës materiale uniformat blu kanë sekuestruar aparate celular, dokumente tërheqjesh monetare, një sasi lënde narkotike e dyshuar si kokainë etj.

Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Shtetasit e arrestuar akuzohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Të fundit