Flash News

E-TJERA

Kaosi i zakonshëm! Tirana përmbytet me dy pika shi

Kaosi i zakonshëm! Tirana përmbytet me dy pika shi

Moti i keq me reshje të dendura shiu që ka pushtuar vendin prej ditës së premte ka shkaktuar përmbytje të menjëhershme në disa zona të Tiranës, duke vënë në dukje sërish mangësitë në infrastrukturën e kanalizimeve.

Sipas raportimeve mediatike, vetëm ditën e sotme probleme janë hasur në minibashkinë nr.4, në Tiranë ku uji dhe balta kanë mbuluar rrugën “Shefqet Kuka” duke e bërë të pamundur kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Sipas banorëve, rruga është e mbushur me gropa të thella dhe tubacione të shpërbëra, duke e bërë kalimin të rrezikshëm, veçanërisht për fëmijët që shkojnë në shkollë. 

Kaosi i zakonshëm! Tirana përmbytet me dy pika shi
Rruga "Shefqet Kuka"

Një tjetër zonë e prekur është një rezidencë, afër Shkozës, ku sipas një denoncimi të publikuar nga JOQ, banorët thonë se pas vetëm 10 minutash shi, i gjithë vendi është përmbytur. Ata thonë se kanë shpenzuar deri në 1.500 euro për metër katror për të blerë apartamentet në këtë rezidencë, por kanalizimet janë të papërshtatshme dhe shpesh bllokohen, duke i lënë ata pa mundësi të hyjnë në shtëpitë e tyre.

Kaosi i zakonshëm! Tirana përmbytet me dy pika shi
Rezidenca

Gjithashtu një tjetër zonë problematike është edhe Qyteti i Studentit, ku raportohet se si pasojë e bllokimit të kanalizimeve uji ka vërshuar në rrugë duke vështirësuar kështu qarkullimin e mjeteve dhe kalimtarëve dhe duke shkaktuar trafik në zonë. 

Vlen të theksohet se kjo situatë nuk është e re. Me ardhjen e vjeshtës mjaftojnë pak minuta shi që kryeqyteti të kthehet në kaos. Infrastruktura e vjetër e kanalizimeve nuk i përballon dot reshjet intensive duke përmbytur kështu rrugët dhe duke vështirësuar qarkullimin e qytetarëve.

Ky problem ka datuar që në kohën kur në krye të Bashkisë së Tiranës u emërua Erion Veliaj. Tashmë që ky i fundit u shkarkua të shpresojmë që dikush do përgjigjet për këtë 'krizë' kanalizimesh. 

 

Të fundit