Flash News

E-TJERA

Kërkoi auditim për shoqërinë “Albcontrol”, Meta zbardh letrën dërguar KLSH-së

Kërkoi auditim për shoqërinë “Albcontrol”, Meta
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka publikuar sot letrën që i dërgoi një ditë më parë Kontrollit të Lartë të Shtetit për të audituar shoqërinë Albcontrol. Letra e Metës erdhi pas situatës që u krijua në aeroportin e Rinasit, ku fluturimet u bllokuan për dy ditë nga pezullimi i punës nga ana e kontrollorëve të trafikut ajror.

Kreu i Shtetit evidenton shqetësimet e tyre që lidhen me kushtet e punës dhe uljen e pagave. Bazuar në pretendimet e kontrollorëve ai thekson se vendimarrjet e Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë “Albcontrol” shkelin një sërë rregulloresh dhe manualësh në lidhje me sigurinë e operimit të trafikut ajror, duke vënë në rrezik të gjithë trupën e kontrollorëve të trafikut ajror, funksionimin normal të shoqërisë “Albcontrol” sh.a dhe sigurinë e hapësirës ajrore.

Gjithashtu nënvizon se kërkesat e përsëritura të kontrollorëve ajror janë injoruar për të paktën 10 muaj me radhë nga institucionet përgjegjëse.  Meta shton se pezullimi pa afat i të drejtave të fituara prej tyre, nuk përkon me realitetin financiar të kompanisë, dhe as justifikohet nga situata e krijuar për shkak të pandemisë, siç kanë pretenduar organet drejtuese të kompanisë.

Në këto kushte, presidenti kërkon nga KLSH që të ndërmarrë pa vonesë një auditim i plotë mbi mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie; respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese; përdorimin e fondeve publike; respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës; si dhe çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurtë dhe funksionimin normal e të qëndrueshëm të “Albcontrol” sh.a.

Të fundit