Flash News

E-TJERA

KQZ regjistron koalicionin “Shtëpia e Lirisë” LSI-PDK, nuk njeh Berishën me ‘Rithemelimin’

KQZ regjistron koalicionin “Shtëpia e Lirisë” LSI-PDK, nuk

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, por ka përjashtuar nga LSI-ja dhe PDK-ja, ish-kryeministrin Sali Berisha me Komisionin e Rithemelimit.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, u shpreh se pranohet kërkesa e LSI-së për koalicion, por përjashtohen kërkesat për simbole dhe logo që përfshijnë elementë të PD-së, çka nënkupton se ‘Rithemelimi’ nuk mund të jetë pjesë e koalicionit.

“Së pari për legjitimitetin e kërkesës unë mund të them se ne po e diskutojmë sot këtë kërkesë dhe tashmë LSI është regjistruar si parti politike. Nuk mund të them që përfaqësuesi i PD-së ka një pretendim alogjik por nuk ka bazë ligjore. Vlerësoj që kërkesa e LSI e shqyrtuar sot për të regjistruar një koalicion në vlerësimin tim ka legjitimitet të plotë dhe duhet të shqyrtohet. Lidhur me përmbajtjen nuk qëndron kërkesa për ta kthyer për plotësim, pasi do të ishim në këtë situatë nëse do të kishim mungesë të dokumentacionit përkatës. Ne i kemi të gjitha dokumentet. Kemi edhe diçka më shumë të cilën është jo në përputhje me parashikimet e ligjit. Kërkesa për disa aspekte të saj reflekton konfliktualitet me nenet e Kodit Zgjedhor me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike. Ndaj kërkesa për të përfshirë në simbole, në sigla apo në thelbin e vet elementë të Partisë Demokratike nuk mund të pranohet”, tha Celibashi.

Shqyrtimi i kërkesës ka sjellë fillimisht debate mes përfaqësuesit të PD-së, Marash Logut dhe atij të LSI-së, Altin Kaziaj.

Logu ka kërkuar të refuzohet kërkesa për koalicion, pasi është bërë në emër të PD-së, teksa shton se Komisioni i Rithemelimit nuk ekziston si subjekt politik. Sipas Logut, kërkesa ka elementë paligjshmërie dhe referenca i bëhet PD-së si subjekt me kryetar Lulzim Bashën dhe përfaqësues ligjor Marash Logun dhe Indrit Sefën.

“Nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë kërkesë për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Në kërkesën e LSI, në faqen e dytë, thuhet se partitë përbërëse të koalicionit janë LSI, PDK dhe Komisioni i Rithemelimit. Më tej, thuhet se drejtuese e koalicionit është PD e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit. Në emër të PD, siç është bërë e ditur përmes shkresës, është e qartë se kryetari i PD dhe i vetmi person për të paraqitur kërkesa për regjistrim subjektesh, është Lulzim Basha. Në rastin konkret, nga ana e PD nuk ka, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë lloj kërkese për të qenë pjesëmarrës, drejtues politik apo udhëheqës ndaj një koalicioni politik. Edhe në përmbajtje të kërkesës ka elemente paligjshmërie. Nuk kemi një subjekt të tillë, që quhet PD Komisioni i Rithemelimit. Referenca i bëhet PD, që është regjistruar si subjekt zgjedhor, me kryetar z. Lulzim Basha, me përfaqësues z. Marash Logu dhe Idrit Sefi. Asnjëri prej tyre nuk kanë shprehur dakordësi dhe kërkesë për t’u regjistruar si koalicion”, tha Logu.

Deklaratat e Logut janë kundërshtuar nga përfaqësuesi i LSI-së. Kaziaj u shpreh se Logu i interpreton faktet sipas mënyrës së vet, duke mohuar që kërkesa të jetë bërë në kushte të jashtëligjshme.

“Nuk janë logjike ato që tha z. Logu. Ai flet për dispozita ligjore dhe interpreton sipas mënyrës së vet. Direktivat politike të dhëna prej tij nga ai që mban me cdo kusht partinë, duke blinduar dhe dyert e saj, nuk kanë të bëjnë me akte apo karaktere të vet ligjit. Afatet janë që një kërkesë bëhet brenda afateve të caktuara dhe jo jashtë saj. Në këtë rast nuk kemi jashtëligjshmëri. Sa i përket siglës së marrëveshjes, të bërë nga ana jonë me PDK e Komisionin e Rithemelimit, i them z. Logu se faktet tregojnë ndryshe. Nuk mund t’i tregojmë shqiptarëve se në një vend me rreth 2 mijë karrige të fusim 5004 delegatë”, tha Kaziaj.

Të fundit