Flash News

E-TJERA

Kur pritet që Ahmetaj të shpallet në kërkim ndërkombëtar

Kur pritet që Ahmetaj të shpallet në kërkim

Pasditen e djeshme, Prokuroria e posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit i dorëzoi policisë urdhrin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për ish zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.

Urdhri pasoi vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila miratoi kërkesën e Prokurorisë.  

Sipas rregullit, policia ka një muaj kohë për të kërkuar një person ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti dhe nëse nuk gjendet në këtë periudhë, policia më pas ia përcjell dosjen Interpolit për ta shpallur në kërkim, ndërkombëtar.

Nuk dihet nëse policia do të shfrytëzojë të gjithë kohën e parashikuar, apo do të vijojë në një kohë të shkurtër për ta shpallur atë në kërkim ndërkombëtar, duke ditur që ai është jashtë vendit dhe e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet, të paktën jo brenda një kohe të shkurtër.

Ahmetaj u largua nga Shqipëria më 7 korrik, pak përpara se Prokuroria e posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit. Ai udhëtoi drejt Greqisë përmes kufirit tokës, në pikën e Kakavijës. Vendndodhja e tij e mëpasshme mbetet ende enigmë, të paktën publikisht, ndonëse avokatët e tij deklaruan se ai ndodhet pranë familjes në Londër.

Akuzat që rëndojnë mbi ish-zyrtarin e lartë janë korrupsioni në gjashtë raste, pastrimi i produkteve të veprës penale dhe fshehja e mosdeklarimi i pasurisë në rastet e dy vilave në Palsë dhe Hamallaj, katër apartamenteve në Tiranë në zonën e Shallvareve dhe në Selitë dhe disa llogarive bankare.

Hetimet kanë zbuluar lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve të cilët fituan kontratat për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, si dhe favorizme që ai, nga pozitat e ish ministrit të Ekonomisë dhe më pas të Financave u ka ofruar atyre, duke marrë në këmbim , sipas prokurorisë, shpërblime në forma të ndryshme.

Të fundit