Flash News

E-TJERA

Kushtetuesja pezulloi marrëveshjen me Italinë, Holta Zaçaj: Refugjatët mund të çojnë në shkeljen e të drejtave të njeriut

Kushtetuesja pezulloi marrëveshjen me Italinë, Holta Zaçaj:

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj në një intervistë për Corriere Della Sera, ka renditur arsyet e pezullimit të marrëveshjes me Italinë për emigrantët afrikanë.

Zaçaj ka sqaruar se një e katërta e deputetëve shqiptarë ka kërkuar që të kontrollohet kushtetutshmëria e protokollit të nënshkruar nga dy vendet.

Intervista e plotë:

A i thotë Gjykata Kushtetuese “jo” marrëveshjes Romë-Tiranë?
“Jo. Procesi që çon në ratifikimin e marrëveshjes është pezulluar pasi mbi një e katërta e deputetëve shqiptarë na kanë kërkuar të kontrollojmë kushtetutshmërinë ose jo të protokollit të nënshkruar mes dy vendeve. Ne kemi vlerësuar se ankesa i plotëson kriteret e pranueshmërisë dhe sipas rregullores sonë kjo sjell automatikisht ndërprerjen e procedurave parlamentare për ratifikimin. Por dua të sqaroj: ne nuk kemi hyrë në meritat e protokollit të nënshkruar”.

Çfarë kontestojnë tridhjetë deputetët?
“Në thelb dy aspekte. E para: mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit. Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje ka nevojë për autorizimin e presidentit pasi prek çështje territoriale. Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve”.

Dhe aspekti i dytë?
Sipas tyre, protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.

Pse nxitet pezullimi automatik i procesit parlamentar?
“Sepse pas ratifikimit, Gjykata – sipas rregullave tona – nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit”.

A do të hyjë Gjykata në seancën e 18 janarit në themel të marrëveshjes Rama-Meloni?
“Na kërkohet një gjë e tillë, duhet të shqyrtojmë në detaje protokollin për ato dy pika të ngritura nga një e katërta e Kuvendit të Shqipërisë. Por e përsëris përsëri: ne nuk kemi hyrë vërtet në këtë çështje”.

Ka nga ata që i frikësohen lëvizjeve të opozitës për t’ju detyruar të shtyni vendimin.
“Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin brenda datës 4 janar 2024. Dhe nga dita e ankimimit (6 dhjetor 2023) kemi maksimum tre muaj për të marrë vendim. Në rastin konkret do të thotë se deri më 6 mars 2024 Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo”.

 

 

Të fundit