Flash News

E-TJERA

Lubonja për “Il Fatto Quotidiano”: Premtuan zero ndërtime, Rama u mësua me pushtetin e betonit

Lubonja për “Il Fatto Quotidiano”: Premtuan zero ndërtime,

Analisti Fatos Lubonja ka folur në një intervistë për të përditshmen italiane “Il Fatto Quotidiano”, lidhur me kullat e larta që kanë pushtuar Tiranën.

Lubonja është shprehur se nga premtimet për zero ndërtime në Tiranë që dha Veliaj, erdhëm sot, në një ‘pushtet betoni’.

Në artikullin e përkthyer nga Syri Tv, ai shprehet më tej se paratë për një pjesë të ndërtesave, rrjedhin nga krimi, sepse të ardhurat e një emigranit, nuk mund të mjaftojnë për të ngritur kulla.

Fatos, është ky një pushtet i ri i tepruar?

Jo, ka ekzistuar gjithmonë, por tani është bërë më i fortë. Mund të themi se fillimi i këtij sistemi ekonomik, politik dhe shoqëror, që nga viti 1997, ishte i tipit “berluskonian”: të pasurit e rinj shqiptarë, do t’i quaja oligarkë të pasuruar, investonin në ndërtim dhe në media, me të cilat shantazhonin ose favorizonin politikanët për të marrë leje ndërtimi. Burimet e tyre ekonomike në atë kohë vinin nga emigrantët që dëshironin të kishin një shtëpi në Tiranë. Interesi i tyre ishte të ndërtonin aty ku çmimet ishin më të larta. Ndërkohë, industria shqiptare zhdukej, por askush nuk e denonconte.

Çfarë ndodhi më pas?

U shtua nevoja për banesa, deri në kulmin e vitit 2005. Kjo u menaxhua gjithmonë me të njëjtat dinamika dhe, pasi kjo nevojë u shterua, u përhapën forma të tjera të spekulimeve dhe klientelizmit, si p.sh. në hidrocentrale. Më pas erdhi një përshpejtim dhe u rikthyem te ndërtimet. Megjithatë, në vitin 2015, kryebashkiaku Veliaj në fushatën e tij elektorale kishte premtuar zero ndërtime në Tiranë dhe se qendra nuk do të prekej.

Pse ky premtim u tradhtua?

Për disa arsye, sipas meje: vendi nuk kishte më burime ekonomike, Edi Rama – fillimisht kryetar bashkie, më pas kryeministër – ishte ambicioz dhe e imagjinonte qytetin si një zgjatim të vetes, dhe për më tepër ishte mësuar me këtë lloj pushteti të betonit.

Rreziku i pastrimit të parave

Paratë e emigrantëve nuk mund të mjaftojnë për të financuar gjithçka.Në vitin 2023, sipas disa ekonomistëve, gati 90% e taksave të paguara në Bashkinë e Tiranës vinin nga sektori i ndërtimit, i pasurive të paluajtshme dhe i gjithë zinxhirit të lidhur me të. Ishte një minierë, por ata oligarkë, megjithëse të pasuruar, nuk kishin gjithë këto para.

Dhe kush i kishte?

Mafia shqiptare, narkotrafiku, para të pista. Në disa përgjime të hetimeve të kryera nga prokurori Gratteri, për shembull, ’Ndrangheta flet për Shqipërinë si për Kalabrinë e viteve ’60, për lehtësinë e ndërtimit. Kështu futesh në makinën e investimeve dhe bëhesh ndërmjetës mes krimit dhe qeverisjes së territorit.

Hotele me 10 kate që nuk arrijnë të mbushin dhomat, bëhen kulla me 40-50 kate. Rivendosen para, jepet pak punë për vendasit, politikanët dhe administrata marrin taksat e tyre dhe të gjithë janë të kënaqur.

Pse synohet te emrat e mëdhenj të arkitekturës?

Ka nevojë për një fasadë që ta mbulojë dhe ta tregojë me lavdi këtë garë ndërtimi, një autoritet – më mirë nëse është perëndimor – që e zbukuron dhe e legjitimon.

Të fundit