Flash News

E-TJERA

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese kërkon prova nga Këshilli i Ministrave

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka dalë sot me një njoftim për marrëveshjen për strehimin e emigrantëve të Italisë në Shqipëri.

Në njoftim, gjykata sqaron se kërkon nga Këshilli i Ministrave paraqitjen e provave, përfshirë këtu traktatin e miqësisë së vitit 1995, mbi të cilën pretendohet se është nënshkruar marrëveshja midis kryeministrit Edi Rama dhe homologes së saj italiane, Giorgia Meloni.

Po ashtu, seanca e radhës është parashikuar në 24 janar.

Njoftimi i plotë:  

Sot në datën 18.10.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (kërkuesi), me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi.

Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit””.

Gjykata mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkuesit, prapësimet me shkrim të subjekteve të interesuara Kuvendi i Shqipërisë (Kuvendi), Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe Avokatit të Popullit si edhe provat e paraqitura nga keto subjekte, ndersa konstatoi mungesën e prapësimeve me shkrim të Presidentit të Republikës.

Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se subjekti i interesuar Këshilli i Ministrave ka prapësuar se Protokolli i Bashkëpunimit është lidhur bazuar në Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i vitit 1995.

Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenin 44/a të ligjit organik të saj vlerësoi se shqyrtimi i këtij Traktati është i nevojshëm për hetimin e plotë të çështjes, ndaj vendosi t’i kërkojë Këshillit të Ministrave paraqitjen e kësaj prove dhe për këtë shkak, seanca plenare e radhës do të zhvillohet në datën 24.01.2024, ora 11.30.

Sa i takon kërkesës së grupit të deputetëve për marrjen e opinionit këshillimor nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata vendosi të rezervohet për t’u shprehur në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

 

Të fundit