Flash News

E-TJERA

“Mbani vendin tuaj”, gjykata i tërheq vërejtje Ballës gjatë seancës për dosjen “Partizani”

“Mbani vendin tuaj”, gjykata i tërheq vërejtje Ballës

Seanca në Gjykata e Posaçme për dosjen “Partizani” është shoqëruar me debate dhe replika të forta mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Balla është thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, ku është marrë në pyetje nga avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe kryedemokratit Sali Berisha mbi bazën e kallëzimit dhe mënyrën e sigurimit të provave.

Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, kërkoi sqarime nëse kallëzimi ishte bërë si deputet apo qytetar dhe nëse ishte i shoqëruar me prova konkrete.

Në përgjigje, Balla u shpreh se materialet që kishte në dispozicion i kishte bashkëngjitur kallëzimit dhe se informacionet ishin siguruar nga qytetarët, media dhe burime të tjera institucionale. “Për herë të 17 po them, bazuar në dyshime kam marrë vendimin të bëj këtë kallëzim”, u shpreh Balla gjatë seancës.

Gjatë seancës, trupi gjykues ndërhyri duke i tërhequr vëmendjen dëshmitarit për të ruajtur rolin procedural. “Mbani vendin tuaj, jeni thjesht dëshmitar. Nuk lejohen komentet,” u shpreh gjykata.

Në lidhje me mënyrën e dorëzimit të kallëzimit, Balla dha dy versione, fillimisht duke thënë se ishte dorëzuar dorazi në prokurori, ndërsa më pas se mund të ishte dorëzuar nga një punonjës i Kuvendit.

Nga ana tjetër, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush kishte përfituar nga procesi. Balla deklaroi se sipas tij përfitues ishin Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me shoqëritë përkatëse, duke ngritur dyshime edhe për ndikim familjar në proces.

“Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë”, tha Balla në përfundim të dëshmisë së tij.

Të fundit