Flash News

E-TJERA

Media gjermane: Aeroporti i Vlorës 'vret' një nga ligatinat më të mëdha të Evropës!

Media gjermane: Aeroporti i Vlorës 'vret' një nga ligatinat
Foto ilustruese

Ndërtimi i aeroportit të ri ndërkombëtar në Vlorë është rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e mediave të huaja, për shkak të pozicionimit të tij brenda zonës së mbrojtur të Lagunës së Nartës, një nga habitatet më të rëndësishme të shpendëve në Mesdhe.

Laguna, e cila është shtëpi për më shumë se 200 lloje shpendësh, përfshirë flamingot, pelikanin dalmat dhe shumë specie të rralla, ndodhet përgjatë një prej korridoreve më të rëndësishme të migrimit të shpendëve në Evropë.

SRF News në një reportazh të publikuar së fundmi ngre shqetësimin se ndërtimi i aeroportit në këtë zonë do të ketë pasoja të parikuperueshme për biodiversitetin. Artikulli ngre alarmin se pista dhe aktiviteti ajror do të prishin rrugët e migrimit dhe do të zhvendosin habitatet natyrore të shpendëve.

"Shqipëria po përjeton një bum turizmi – prandaj vendi dëshiron aeroporte të reja. Një aeroport zvicerano-kosovar po ndërton një të tillë në bregdetin e Adriatikut. Por, për shkak se aeroporti i Vlorës po ndërtohet në një vend të sigurt për zogjtë, dashamirësit e natyrës po protestojnë. Për më tepër, kafshët, veçanërisht pelikanët, përbëjnë rrezik gjatë ngritjeve dhe uljeve",- thekson artikulli.

Artikulli gjithashtu sjell në vëmendje edhe kundërshtimet që ka marrë projekti i aeroportit nga opozita, kjo pasi në shkurt të vitit 2024, qeveria miratoi një ndryshim të kufijve të Zonës së Mbrojtur “Vjosa–Nartë”, duke përjashtuar territorin ku ndërtohet aeroporti, një vendim që është cilësuar si “manipulim ligjor për të anashkaluar mbrojtjen”.

Gjithashtu theksohet se ndërtimi i aeroportit është shoqëruar edhe me protesta nga ambjentalistët, por as këto të fundit nuk kanë ndryshuar vendimin e qeverisë për ndërtimin e aeroportit që ka shkaktuar kaq shumë polemika.

Të fundit