Flash News

E-TJERA

Megaoperacioni me 107 të arrestuar, Veliu nga Madridi: Do t’i godasim ekonomikisht për t’i paralizuar

Megaoperacioni me 107 të arrestuar, Veliu nga Madridi: Do t’i godasim
Në foto/ Ardi Veliu gjatë konferencës në Madrid

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ndodhet në një konferencë për mediat në Madrid të Spanjës, për të dhënë detaje nga megaoperacioni mes policisë shqiptare, spanjolle dhe asaj gjermane

Në fjalën e tij, Veliu tha se operacioni do të vijojë me investigimet në Shqipëri ndaj të gjitha provave që kanë dalë pas megaoperacionit duke e goditur grupin e trafikantëve në pjesën ekonomike.

“Siç e përmendet kolegët parafolës për gati 1 vit pune të gjatë investiguese dhe hetimore është finalizuar ky operacion i madh ndërkombëtar. Policia shqiptare ka ndihmuar dhe kontribuar për shqiptarët e përfshirë dhe të identifikuar.

Duke u mundësuar kolegëve spanjollë thellimin e hetimeve. Kjo vërtetoi edhe njëherë që policia shqiptare është e pjekur jo vetëm profesionalisht por edhe një partner i besueshëm për agjencitë e zbatimit të ligjit. Duke bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar atje ku ka të përfshirë shtetas shqiptarë. Nuk do mjaftohemi me ndalimin e operacionit në këtë stad.

Por do të vazhdojmë në vendin tonë duke identifikuar pronat që kanë ardhur si rezultat i këtij aktiviteti kriminal për të gjithë shtetasit e përfshirë. Me goditjen në pjesën ekonomike mund ta paralizojmë këtë grup. Pavarësisht se ky është operacioni i parë i përbashkët me kolegët spanjollë besoj se do vazhdojmë edhe në të ardhmen me operacione të përbashkëta”, u shpreh ai.

Nga megaoperacioni ipërbashkët Shqipëri-Spanjë-Gjermani u arrestuan 107 persona si të dyshuar të përfshirë në rrjetin e trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në 51 ambiente, u sekuestruan 23 shtëpi bari, 25 mijë bimë kanabis sativa, 938 kg boce kanabis, tri mjete luksoze, një detonator, dy armë zjarri, një bllokues valës, 68.760 euro.

Të fundit