Flash News

E-TJERA

Mes të arrestuarve për mbetjet e “Kurum” edhe drejtoresha e AKM-së, e besuara e Mirela Kumbaros

Mes të arrestuarve për mbetjet e “Kurum” edhe drejtoresha

Një operacion i përbashkët i Policisë së Durrësit dhe Tiranës është zhvilluar për ekzekutimin e masave të sigurisë të vendosura nga gjykata në lidhje me skandalin e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”.

Sipas burimeve zyrtare, bëhet fjalë për eksportimin e 102 kontejnerëve me mbetje të rrezikshme drejt Tajlandës, të cilët më pas u rikthyen në Shqipëri pas një sinjalizimi nga Rrjeti i Bazelit, mekanizmi ndërkombëtar që monitoron lëvizjen e mbetjeve të rrezikshme ndërkufitare.

Në kuadër të hetimeve, gjykata ka firmosur gjithsej 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në këtë çështje. Prej tyre, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 të tjera “arrest shtëpie”.

Mes personave ndaj të cilëve është caktuar masa e “arrestit shtëpiak” është edhe Arta Dollani, ish-drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e njohur si një nga bashkëpunëtoret e afërta të ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. 

Aktualisht, Dollani mban detyrën si drejtoreshë e Agjencisë së Arsimit Parauniversitar. Ajo akuzohet për shkeljet e kryera në kohën kur mbante postin e drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Masat e sigurisë janë lëshuar gjithashtu ndaj drejtuesve të kompanisë “Kurum”, si edhe ndaj biznesmenëve dhe zyrtarëve të AKM-së dhe Doganave, të dyshuar për rol aktiv në lejimin dhe procedimin e paligjshëm të eksportit të mbetjeve.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë dhe zinxhirin e vendimmarrjes në një nga çështjet më të rënda të dyshuara të ndotjes mjedisore dhe shkeljes së konventave ndërkombëtare nga Shqipëria.

Të fundit