Flash News

E-TJERA

Meta, Basha e Kryemadhi urojnë Vjosa Osmanin

Meta, Basha e Kryemadhi urojnë Vjosa Osmanin

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen si Presidente e Kosovës.

Përmes postimeve në Facebook, tre politikanët kanë shprehur urimet e përzemërta për Osmanin dhe se presin me padurim të bashkëpunojnë me të.

Presidenti Meta shkruan se Vjosa Osmani o të çojë më tej bashkëpunimin ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve:

"Urimet më të sinqerta Vjosa Osmanit me rastin e zgjedhjes në detyrën tepër të rëndësishme të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Jam i bindur se Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona.
Si President i Republikës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore, në interes të qytetarëve tanë dhe përshpejtimit të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, të Shqipërisë dhe të Kosovës."

Ndërkohë Lulzim Basha shkruan se PD dhe ai do të qëndrojnë krah Kosovës:

"Urimet më të përzemërta Vjosa Osmanit për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës.

Jam i bindur se presidentja Osmani do të mundësojë unifikimin e faktorit politik të Kosovës për të adresuar drejt sfidat që vendi ka përpara, garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial, anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë dhe progresin drejt integrimit euroatlantik.

Si përherë, sot dhe nesër në qeverisje të vendit, PD dhe unë qëndrojmë në krah të Kosovës, në mbështetje të qytetarëve dhe institucioneve të saj, për ti përballuar së bashku të gjitha sfidat e për të forcuar bashkëpunimin mes nesh në dobi të zhvillimit dhe mirëqënies së qytetarëve tanë. Punë të mbarë Presidente Osmani!"

Monika Kryemadhi shkruan se pret me padurim të shohë Kosovën të përparojë në integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar:

"Urimet më të mira Presidentes Vjosa Osmani!

Urime popullit të Kosovës!

Pres me padurim ta shoh Kosovën të përparojë në integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar dhe le të punojmë sëbashku për marrëdhënie sa më të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kosovës, për rritjen e mirëqenies dhe realizimit të sfidës së integrimit europian."

 

Të fundit