Flash News

E-TJERA

Minatori humb jetën në Katjel, administratori: Na shokoi, galeria ishte sapo hapur

Minatori humb jetën në Katjel, administratori: Na shokoi, galeria

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik në minierën e kromit në Katjel të Prrenjasit, ku humbi jetën 58-vjeçari Syrja Bego. Administratori i minierës, Gëzim Balla, në një prononcim për “BalkanWeb” ka shprehur trishtimin dhe keqardhjen për ngjarjen që i mori jetën minatorit me përvojë.

Sipas Ballës, galeria e minierës nuk ka qenë funksionale për disa ditë dhe gjatë kësaj kohe ishte punuar për të krijuar kushte optimale sigurie për rifillimin e aktivitetit.

“Gjatë ditëve të fundit në galeri është punuar për të krijuar kushte optimale për punë. Sot rreth mesditës gjithçka ka qenë gati për rifillimin e procesit normal të punës,”  u shpreh Balla.

Ai tha se drejtuesi teknik i kompanisë, Hysni Kllogjri, kishte inspektuar kushtet e sigurisë dhe kishte kryer trajnimin e zakonshëm me minatorët, duke theksuar zbatimin rigoroz të standardeve të sigurisë.

“Siguria e jetës së minatorëve është dhe do të jetë një nga parimet tona më të rëndësishme në këtë sipërmarrje,”  tha ai.

Sipas informacionit paraprak, tragjedia ndodhi si pasojë e një shembjeje në tavanin e galerisë. Minatori Bego është goditur në kokë nga një gur, duke pësuar dëmtime fatale.

“Përgjegjësi i turnit, Gëzim Kllogjri, më ka njoftuar për aksidentin tragjik. Kjo ngjarje na ka shokuar dhe ndjehem mjaft i lënduar,”  përfundoi Balla.

Autoritetet janë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shkaqet konkrete të aksidentit.

Të fundit