Flash News

E-TJERA

"Mjaft më me vrasje", Dom Gjergj Meta 'shuplakë' autoriteteve: Sistemi drejtësisë shqiptare, larg të qenurit një vend normal europian

"Mjaft më me vrasje", Dom Gjergj Meta 'shuplakë'
Foto Ilustruese/ Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ka reaguar ashpër pas vrasjes së Anton Kelit në Mirditë mbrëmjen e kaluar.

“Mjaft më me vrasje dhe gjykimi t’i lihet vetëm Zotit”, ka qenë ky mesazhi i Dom Gjergj Metës, ndërsa qyteti i Rrëshenit u përgjak sërish nga një tjetër vrasje pa autor.

Më tej, Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit ka kritikuar hapur sistemin e drejtësisë, duke u shprehur se është ende larg atij të një vendi normal europian.

Kujtojmë se, 51-vjeçari, Anton Keli, u ekzekutua me armë zjarri sapo kishte zbritur nga makina. Pista kryesore e autoriteteve që po merren me hetimin e ngjarjes mbetet hakmarrja, megjithëse hetimet i kushtëzon fakti se në zonë nuk ka pasur kamera sigurie. Anton Keli është nip i fisit Gjini, të cilët kanë hasmëri me fisin Reçi në Mirditë.

Mesazhi i Dom Gjergj Metës:

MJAFT MË ME VRASJE!

Qyteti jonë, Rrësheni, u përgjak sërish. Prapë një vrasje tjetër pa autor apo me autor në drejtim të paditur. Për fat të keq, na janë bërë të shumta drejtimet e paditura, në një sistem drejtësie ende larg atij të një vendi normal europian.

Janë të tepërta këto pesha që po i ngarkohen shpesh qytetit tonë të vogël, këto kohët e fundit.

Kushdo që merr jetën e një njeriu ta dijë se një ditë do të japë llogari. Mund t’i fshihet drejtësisë së njerëzve, mund të humbasë gjurmët, por nuk i fshihet dot gjykimit të Zotit e as gjykimit të ndërgjegjes së vet.

Nuk kam fjalë tjetër për ata që kanë gisht në këto punë përveçse: Pendohuni! Kthehuni kah Zoti! Lërjani Zotit gjykimin. Do të vijë një ditë gjykimi i Zotit, në këtë botë e në tjetrën. Nuk do t’i shpëtojë dot askush atij gjykimi. Sa jeni gjallë keni kohë të silleni kah e mira, kah falja dhe paqja.

Lum ata që duan paqen dhe urrejnë të keqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

Mjaft më me vrasje! Mjaft!

+ dom Gjergji

Të fundit