Flash News

E-TJERA

Ndahet nga jeta kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, babai i “njeriut të memeve”

Ndahet nga jeta kryetari i Shoqatës Patriotike

Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria” Hektor Sejko. Sejko është babai i Genc Sejkos, opozitari i njohur si “njeriu i memeve”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë i biri, Genc Sejko, por dhe PDIU në faqen zyrtare. Hektor Sejko lindi në 18 korrik të vitit 1946 në Gjirokastër. Ai rridhte nga një familje patriotike dhe atdhetare e zonës së Filatit të Çamërisë.

“I lartësuar është ai që krijoi vdekjen të cilën çdo shpirt do ta provojë.

“Të Zotit jemi e tek ai do kthehemi.

Sot ndërroi jetë babai ynë Hektor Sejko. E lus Zotin e gjithësisë që ta mëshirojë shpirtin e tij dhe ta bëjë prej banorëve të xhenetit.

Pritja dhe përcjellja për në varreza do bëhet tek restorant “Internacional” pas ish “Lidhja e shkrimtarëve”

Namazi i xhenazes do të falet në xhaminë Dine Hoxha pas namazit të drekës dhe varrimi do kryhet në varrezat “Sharrë” ne oren 13:30.

Lamtumirë babë! Zoti të pastë në kujdesin e tij”, shkruan Sejko në median sociale Facebook.

Ndahet nga jeta kryetari i Shoqatës Patriotike

Ndërsa PDIU, teksa ka bërë biografinë e drejtuesit të Shoqatës Patriotike “Çamëria shkruan:

“Lamtumirë Hektor Sejko!

Përtej trishtimit që sjell çdo humbje, lajmi për largimin nga jeta të Hektor Sejkos, kryetarit të Shoqatës Patriotike “Çamëria” na ka hidhëruar thellësisht. Ne humbëm sot një patriot të madh, një burrë fisnik dhe një mik të çmuar që nuk rreshti së punuari për amanetin e Çamërisë.

Hektor Sejko lindi në 18 korrik të vitit 1946 në Gjirokastër. Ai rridhte nga një familje patriotike dhe atdhetare e zonës së Filatit të Çamërisë. Gjyshi i tij, Mehmet Sejko, ishte njëri nga pinjollët e familjes së Sejkove të Filatit dhe themelues i Klubit “Vëllazërija”.

Ndërsa babai i tij, Taho Sejko ishte vëllai i gjeneralit të njohur, ish-admiralit të flotës detare shqiptare, Teme Sejkos. Ai vdiq nga torturat çnjërëzore në hetuesi duke shënuar pikënisjen e një prej sulmet më të egra të regjimit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Hektori kreu studimet në Akademinë e Rendit Publik dhe shërbeu oficer në Gardën e Republikës, për të dalë në pension me gradën Major. Gjatë gjithë jetës tij, sidomos pas viteve 1990, ai nuk reshti asnjëherë së kërkuari të vërtetën mbi persekutimin e familjarëve të tij, të vërtetë të cilën e botoi me Shoqatën Patriotike “Çamëria” nën titullin “Kongresi Antifashist Çam”.

Familja e madhe e PDIU-së dhe Shoqatës Patriotike “Çamëria” i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Sejko dhe të gjithë komunitetit çam për këtë humbje. Hektori do të kujtohet gjithmonë për fisnikërinë, ndershmërinë e përkushtimin për kauzën e shtrenjtë Çame.

Zoti të mëshiroftë! Lamtumirë Hektor!”

 

Të fundit