Flash News

E-TJERA

Nesër pritet të ndryshojë emri i "Minishengenit", Rama nuk e komenton mungesën e Kurtit

Nesër pritet të ndryshojë emri i "Minishengenit", Rama

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u pritën sot nga homologu i tyre maqedonas Zoran Zaev në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal.

Në një intervistë për Top Channel, kryeministri Rama tha se emri i nismës që deri sot njihet si "Minishengen", do të ndryshojë. Lidhur me emrin "Minishengen" kanë qenë disi skeptike edhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi pasi janë takuar disa herë në tryeza të përbashkëta.

Në kuadër të forumit që do të mbahet nesër, Rama tha se janë disa vendime dhe marrëveshje që do të nënshkruhen. "Janë disa vendime, marrëveshje për tu nënshkruar, është dhe një Forum Ekonomik me komunitetin e biznesit dhe vazhdojmë punën", tha Rama.

Sa i përket ndryshimit të emrit të nismës, Rama tha se kushdo që është kapur deri tani me emrin, do të vijojë të kapet sërish.

"Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prap me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë", u shpreh Rama.

Lidhur me mungesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Rama nuk pranoi të japë asnjë koment. "Nuk kam koment për këtë", tha ai.

 

Të fundit