Flash News

E-TJERA

Nga banesa e tij dyshohet se doli makina e atentatorëve të Rinasit, kush është Ylli Zalla

Nga banesa e tij dyshohet se doli makina e atentatorëve të Rinasit,

Policia ka shpallur në kërkim 48-vjeçarin Ylli Zalla, pas zbulimit të një arsenali të madh armësh, mjeteve shpërthyese dhe municioneve në banesën e tij në Fushë Krujë.

Zalla, një person me precedentë penalë , dyshohet se mund të ketë lidhje me atentatin e ndodhur te rrethrrotulli i Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos rëndë efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani alias Sheqeri.

Sipas burimeve zyrtare, 48-vjeçari ka qenë më parë i arrestuar për mbajtje arsenal armësh, prodhim të lëndëve plasëse dhe vendosje eksplozivi, ndërsa figuron i skeduar edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS.

Gjithashtu, Zalla ka kërcënuar me jetë ish-pronarin e fabrikës së çimentos disa vite më parë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën:

3 kallëpë tritol;
12 granata dore sulmuese;
Sasi lëndësh plasëse të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina);
3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
2 kg e 25 gramë Cannabis.
Autoritetet po punojnë intensivisht për kapjen e tij dhe për të zbardhur lidhjen e mundshme të Zallës me atentatin e Rinasit. Paraprakisht, ka dyshime se automjeti tip Toyota, i përdorur nga autorët e sulmit fatal, ka dalë nga banesa e tij.


 

Të fundit