Flash News

E-TJERA

Nga Erigers Mihasi te Brilanti/ Si po ekzekutohet ‘rrethi i ngushtë’ i Vis Martinajt?

Nga Erigers Mihasi te Brilanti/ Si po ekzekutohet ‘rrethi i

Atentati me tre viktima i ndodhur pasditen e sotme në mbikalimin e Fushë-Krujës, i mori jetën Brilant Martinajt, një emër i njohur për policinë dhe që dyshohet të jetë shënjestra e atentatit.

Bashkë me Martinajn, mbetën të vdekur edhe Besmir Hoxha dhe Diklen Vata, edhe ky një person me precedentë të hershëm penalë në trafikun e narkotikëve.

Dyshimet kryesore ngrihen mbi Brilantin për shkak  të lidhjes familjare me Ervis Martinajn, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në Shqipëri.

Brilant Martinaj dyshohet të ketë qenë autori i vrasjes së ish-efektivit të FNSH-së Xhuliano Prela, i cili u ekzekutua në Laç më 5 dhjetor të vitit 2020. Emri i Brilant Martinajt lakohet edhe në vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor të vitit të shkuar.

Martinaj bashkë me Besmir Hoxhën u dogjën në brendësi të mjetit me të cilin udhëtonin me Diklen Vatën.

Vrasja e miqve të Vis Martinajt

Më 13 nëntor të 2021 mbeti i vrarë në zonën e Astirit Erigers Mihasi, i njohur si mik i ngushtë i Martinajt dhe ish-policit Santiago Malko i vrarë në Porcelan më 27 gusht të vitit 2019. Mihasi ishte duke udhëtuar me mjetin e tij tip Audi A 8 kur u qëllua me breshëri armësh.

Mihasi u shpall  në kërkim në vitin 2020 si bashkautor i sulmit me  armë ndaj kompleksit ‘Eiffel’ në Kashar. Emri i Mihasi lidhet ngushtë edhe me plagosjen e Rudolf Tomës, në 2017, ky i fundit punonjësi bashkisë së Kurbinit. Erigers Mihasi,  ose siç njihet me pseudonimin "Boli", është i dyshuar në plagosjen e dy vëllezërve Mumajesi në Laç, ku i dyshuar është edhe ish-efektivi i policisë, Santiago Malko.

Bashkë me Mihasin mbeti i vdekur në atentat edhe Armando Dumani. Në vitin 2012 Dumani ka qenë i arrestuar bashkë me disa persona të tjerë për një sërë grabitjesh në banka të ndryshme. 

Ekzekutimi i Santiago Malkos

Santiago Malko, ish-efektiv, u ekzekutua në gusht të vitit 2019 në Porcelan. Malko u qëllua me breshëri armësh teksa ndodhej në mjetin e tij tip BMW X5. Malko kishte qenë edhe më herët i arrestuar, ndërsa për vrasjen e tij autor kryesor i dyshuar është Blendi Teta.

Vrasja e Fabian Gaxhës

Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok më 4 tetor të vitit 2018. Ngjarja ndodhi pas një përplasje mes dy grupeve, ku Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj. Nga konflikti mbeti i vrarë me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato. 

Të fundit