Flash News

E-TJERA

Nga Korridori i 8 te pika e re kufitare, propozimet që dakordësuan dy qeveritë

Nga Korridori i 8 te pika e re kufitare, propozimet që dakordësuan dy

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan sot 21 marrëveshje bashkëpunimi me njëra-tjetrën, nga fusha e energjisë te procesi i integrimit dhe ekonomia. Mes tyre, dy qeveritë dakordësuan edhe tre propozime.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri maqedonas Dmitar Kovaçevski, u shpreh se dy qeveritë firmosën marrëveshje me qëllim të sigurojmë burime të qëndrueshme energjetike. Kovaçevski vlerësoi se hapja e negociatave për të dyja vendet, ka një sukses të madh.

“Ne firmosëm shumë memorandum me fokus të veçantë në energjetike që të sigurojmë burime të qëndrueshme të energjisë. Ne krijuam një kuadër për projekte të përbashkëta për burimet e rinovueshme të energjisë. Kjo krizë për ne paraqet mundësi për inovacione. Maqedonia e Veriut ka burime, ka diell, ka ujë dhe tokë të frytshme. Kjo do të kontribuojë në cilësinë e jetës ku ndërlidhja e shteteve ka rëndësi thelbësore. Hapja e negociatave është një sukses i madh për ne”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dakordësinë e arritur mes dy qeverive, për tre propozimet e zv/kryeministrit Artan Grubi për ndërtimin e Korridorit 8, ndërtimin e një porti të thatë në Strugë dhe hapjen e një pike të re kufitare.

“Kemi finalizuar disa marrëveshje. 21 akte të dakordësuara në një proces ndërveprimi aktiv. Kemi dakordësuar edhe tre nismat e propozuara nga zv/kryeministri Artan Grubi për ndërtimin e Infrastrukturës për korridorin e tetë, ndërtimin e një porti të thatë dhe hapjen e një pike të re kufitare. Projektin e Portit të Thatë në Strugë do e marrë përsipër qeveria shqiptare e cila ka projektuar portin komercial dhe portin e thatë të Prishtinës.

Kështu krijojmë një infrastrukturë komplekse për rritjen e ndërveprimit mes qeverive tona që është qëllim kryesor i Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit. Edhe pse nuk e kemi nisur luftën në Ukrainë. Nuk mund ta ndalojmë atë. Vuajmë të gjithë pasojat e saj. Është një luftë që ka synim gjunjëzimin e botës në perëndim të Rusisë përmes rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe inflacionit të luftës. Janë dy armë që po përdoren për të destabilizuar Europën dhe vendet që e përbëjnë pavarësisht nëse janë vende të BE apo Ballkanit Perëndimor. Ne jemi në të vështirësi të gjithë dhe afirmohet parimi që sa më shumë të punojmë së bashku dhe ta shohim të ardhmen si destinacion të përbashkët aq më mirë i përballojmë këto situata komplekse”, deklaroi Rama.

Të fundit