Flash News

E-TJERA

Një vit heshtje nga Prokuroria e Durrësit për kontrabandën me mbetje të rrezikshme

Një vit heshtje nga Prokuroria e Durrësit për kontrabandën

Kur po bëhet një vit nga kthimi mbrapsht i 102 kontejnerëve, të dyshuar me mbetje të rrezikshme, nga Tajlanda, autoritetet shqiptare nuk japin asnjë informacion se çfarë po bëhet me hetimet.

Njëmbëdhjetë muaj pasi ngarkesa me 2,100 tonë mbetje u vendos në një zonë të ruajtur në Porto Romano, Prokuroria e Durrësit nuk jep informacion nëse ka nisur hapja dhe testimi i përmbajtjes së tyre.

Ngarkesa, e cila kërkon trajtim të specializuar, u kthye mbrapsht nga autoritetet ndërkombëtare pas sinjalizimeve se kishte përmbajtje të larta plumbi, arseniku dhe kadmiumi.

Citizens iu drejtua Prokurorisë së Durrësit për informacione të përgjithshme rreth ecurisë së hetimeve, por ajo u shpreh se “për shkak të sekretit hetimor”, nuk mund të bënte me dije veprimet e ndërmarra.

Më herët, më 6 mars, pas një trysnie mediatike e diktuar nga dëshmia e organizatës ndërkombëtare “Basel Action Network” (BAN) që u botua në Citizens.al, Prokuroria pranoi se nuk kishte kryer ende marrjen e mostrave të kontenierëve pasi nuk kishte gjetur ende një laborator që mund t’i kryente analizat.

Që nga ai moment, pavarësisht interesit të lartë për çështjen, nuk ka pasur më informacione apo deklarata publike për ecurinë e hetimeve.

Vonesa, “strategji e paremendura” për të mbuluar të vërtetën

Në kushtet e mungesës së informacionit, Citizens.al iu drejtua për një koment drejtuesit të BAN, Jim Puckett, i cili i konsideroi vonesat të pajustifikueshme dhe skandaloze.

“Situata me të ashtuquajturin ‘prokuror’ të Durrësit është turp për çdo institucion kompetent dhe tani ka zgjatur aq shumë sa duket si një mbulim i qëllimshëm, apo një strategji e paramenduar për të vonuar rezultatet dhe për rrjedhojë gjetjet e prokurorisë” theksoi Puckett.

Ai shtoi se, duke qenë se nuk ka besim në ndonjë laborator në Shqipëri, i cili do të duhej të ishte i lirë nga ndikimi politik, do të preferonte që puna të zhvillohej me një laborator të huaj: për shembull, në Gjermani ose në një vend tjetër të BE-së, pasi do të duhej një kompani me përvojë në analizimin e pluhurave me përqindje të lartë metalesh të rrezikshme si plumbi dhe kromi (EAF).

Në një llogaritje të Puckett çmimi për një kampionim shumë gjithëpërfshirës të materialeve organike, përfshirë dioksinat dhe metalet, me rreth 24 mostra, do të ishte rreth 6-10 mijë euro.

“Fakti që ky material ka qëndruar kaq gjatë do të thotë që provat janë gjithnjë e më të rrezikuara nga vjedhja ose dëmtimi me qëllim,” theksoi ai.

Pucktt nënvizoi se komponimet organike të paqëndrueshme, me shumë gjasë janë avulluar, duke ndryshuar provat.

“Tani ka kaluar pothuajse një vit dhe publiku si shqiptar, ashtu edhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë pak besim se prokuroria apo qeveria në tërësi kanë një plan. Përkundrazi, duket se duan të fshihen nga e vërteta dhe nga përgjegjësia e tyre” përmbylli drejtori ekzekutiv i BAN.

Kujtojmë se Puckett ka shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë dhe ndihmuar në hetime duke përcjellë një dëshmi, por që nuk u pranua nga Prokuroria e Durrësit, pasi protokolli kërkon që provat dhe dëshmitë të dorëzohen fizikisht dhe jo online apo përmes një personi të tretë. 

Si përfunduan mbetjet në Shqipëri?

BAN ishte ajo e cila në korrik 2024 dha alarmin për mbetjet që kishin mbërrtur tranzit nga Durrësi në Singapor, me destinacion fundor Tajlandën. Ajo reagoi pas sinjalizimit nga një person anonim me nofkën “Fatra24,” i cili dëshmoi me emaile për aktivitetin e dyshuar të kontrabandës së mbetjeve.

Sipas Puckett “me 95% siguri” mbetjet kanë buruar nga pluhuri i furrave të metalurgjikut në Elbasan, pasi përmbajnë mbetje plumbi, arseniku apo kadmiumi, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar pasi janë helmues.

Ngarkesa në fjalë dyshohet të jetë blerë prej kompanisë KURUM nga “Sokolaj shpk”, e cila e ka nisur përmes kompanisë kroate GS Minerals DOO drejt një kompanie të panjohur në Tajlandë.

Ngarkesa me 102 kontejnerë e transportuar nga anija Moliva u kthye në Durrës më 28 tetor 2024 dhe pas sekuestrimit nga Prokuroria e Durrësit, u zhvendosën dhe u dërguan në një mjedis të ruajtur në Porto Romano.

Ky është rasti i dytë me mbetje të rrezikshme që u sinjalizua ndërkombëtarisht nga BAN për shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Më herët një ngarkesë me 115 kontejnerë me “koncentrat zinku” u bllokua në Kinë, pasi dyshohej se kishte përmbajtje të larta plumbi./Citizens

Të fundit