Flash News

E-TJERA

Operacion anti-drogë në disa qytete/ SPAK: Dy policë mes 42 të arrestuarve. U evidentuan 13 episode kriminale

Operacion anti-drogë në disa qytete/ SPAK: Dy policë mes 42

SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar për operacionin anti-drogë që zhvilloi në disa qytete. Prokuroria e Posaçme bën me dije se hetimi ka zgjatur tre vite dhe se janë goditur pesë grupe kriminale.

Sipas saj, janë evidentuar 13 episode kriminale të trafikimit të narkotikëve në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë. Veprimet e kundraligjshme janë kryer gjatë periudhës mars–nëntor 2020.

SPAK njofton se ka lëshuar masën “arrest me burg” për 42 persona, “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitjeje” për nga një person.

Hetimet kanë konstatuar se të përfshirë në këtë veprimtari janë edhe dy policë. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”. Të arrestuarit janë Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Tepelenës dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer hetime proaktive në kuadër të procedimit penal nr.130 të vitit 2019. Në këtë procedim penal janë hetuar shumë episode dhe një numër i madh personash të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikeve”, “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 283, 248, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Gjatë hetimit proaktiv 3 (tre) vjeçar, është provuar veprimtaria e kundraligjshme e 5 (pesë) grupeve të strukturuara kriminale. Janë evidentuar 13 (trembëdhjetë) episode kriminale të trafikimit të narkotikëve, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë, gjatë periudhës mars – nëntor 2020.

Pas analizimit dhe vlerësimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i është drejtuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit. Gjykata me vendimin nr.16 datë 08.03.2022 ka vendosur:

caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale, për 42 (dyzetedy) shtetas;

caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K. Pr. Penale për 1 (një) shtetas;

caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, për 1 (një) shtetase.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se shtetasit Fejzo Meçaj me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë, Tepelenë dhe Adriatik Logli me detyrë punonjës policie në Drejtorinë Vendore të Policisë, Gjirokastër, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Për këta shtetas është caktuar masa e sigurimit personal   “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Më datë 10.03.2022 nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës nr.16 datë 08.03.2022, për caktimin e masave të sigurimit.

 

Të fundit