Flash News

E-TJERA

Pas Arta Markut, Ardian Dvorani drejt “Kushtetueses”

Pas Arta Markut, Ardian Dvorani drejt “Kushtetueses”

Pas Arta Markut, është rikthyer edhe ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Ky i fundit kandidon për vakancën e krijuar nga përfundimi i mandatit të Altin Binaj në Gjykatën Kushtetuese.

Kërkesa është dorëzuar në Parlament. Afati i kandidaturave për vakancën e shpallur nga Kuvendi është data 14 shkurt.

Dvorani ishte në qender të vëmëndjes pas përplasjeve të forta që pati me presidentin Ilir Meta. Debati erdhi pas interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti pretendonte se kreu i KED-it kishte shkelur Kushtetutën duke mos respektuar radhën e emërimeve, ndërsa Dvorani dhe shumica parlamentare mendonin se Presidenti kishte shkelur Kushtetutën duke dekretuar Marsida Xhaferllarin si gjykatëse edhe pse kishte humbur afatin 30 ditor të përcaktuar në ligj.

Meta pretendonte se arsyeja kryesore e mosngritjes së Gjykatës Kushtetuese, ishte bllokimi i funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për dy vite me qëllim që në krye të saj të vinte Ardian Dvorani.

Presidenti i Republikës ngriti një padi penale ndaj ish-kreut të KED-së, Ardian Dvorani dhe kallëzimin e çoi në tre prokurori njëherësh, në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe atë të Tiranës.

Dvorani akuzohej nga kreu i shteit për “shpërdorim të detyrës” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” në lidhje me procedurat e ndjekura për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Në atë kohë, Meta publikonte dhe spote në rrjetet sociale, ku pretendonte se Dvorani po përdorej për kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe e konsideronte atë si një "ushtar të verbër të partisë".

 

Të fundit