Flash News

E-TJERA

Pas kallëzimit nga të skualifikuarit, BKH i rikthehet vlerësimit: Eliminuam padrejtësisht një kandidat, ishte gabim njerëzor

Pas kallëzimit nga të skualifikuarit, BKH i rikthehet vlerësimit:

Pak ditë pasi shtatë nga kandidatët për hetues të BKH-së që u skualifikuan nga gara pasi nuk arritën të merrnin pikët e nevojshme në testin fizik kallëzuan për shpërdorim detyre dhe manipulim të rezultateve Komisionin e Përzgjedhjes së Vlerësimit, vjen sërish reagimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas njoftimit nga BKH, pas rishikimit të rezultateve u konkludua se njëri nga kandidatët është skualifikuar padrejtësisht.

Në njoftim thuhet se kjo ka ardhur si shkak i një gabimi njerëzor.


           

“Komisioni i Përzgjedhjes me qëllim përmbushjen në mënyrë të saktë, të drejtë dhe transparente të detyrave që vijnë me rolin e tij në procesin e rekrutimit të hetuesve të BKH-së,  si dhe pasi mori disa ankesa prej kandidatëve, ka kryer rishikimin e të gjithë dokumentacionit të kandidatëve të cilët morën pjesë në testin e aftësive fizike.

Prej këtij rishikimi të dytë të proces-verbaleve rezultoi se, si pasojë e një gabimi njerëzor, një kandidat i vlerësuar me pikë të mjaftueshme kualifikuese është vendosur gabimisht në listën e të skualifikuarve në programin Excel gjatë përpunimit të të dhënave prej Sekretarisë Teknike. Si pasojë, kandidati nuk është ftuar në fazën tjetër të rekrutimit. Në këto kushte, dhe në përputhje me parashikimet e Rregullores, kandidati i përmendur më lart i nënshtrohet Testit të Shkrimit të Esesë. Të gjitha rezultatet e tjera janë konfirmuar të sakta.

Rregullorja në fuqi, e miratuar prej BKH-së, parashikon rregulla të qarta dhe të detajuara për vlerësimin e kandidatëve për hetues në BKH. Komisioni i Përzgjedhjes është tërësisht i angazhuar të zbatojë kërkesat e Rregullores nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Të gjithë hapat e procesit të rekrutimit po monitorohen prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar ruajtjen e standardeve me të larta”, thuhet në njoftim.

 

Të fundit