Flash News

E-TJERA

‘Pikëpyetjet’ e PD, KAS shqyrton sot kërkesën për të zhbërë “Shtëpinë e Lirisë”

‘Pikëpyetjet’ e PD, KAS shqyrton sot kërkesën
Foto Ilustruese

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) do të shqyrtojë sot kërkesën e PD për të zhbërë koalicionin “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në 6 bashkitë e vendit.

Mbledhja ka nisur prej orës 08:30 dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të regjistrojë koalicionin “Shtëpia e Lirisë” dhe si pjesë të tij LSI dhe PDK, duke lënë jashtë ish-kryeministrin Sali Berisha me Komisionin e Rithemelimit. Sipas KQZ, pranoheshin vetëm dy partitë të cilat ishin regjistruar më parë si subjekte, por “kërkesa për të përfshirë në simbole, në sigla apo në thelbin e vet elementë të Partisë Demokratike nuk mund të pranohet”.

Në kërkesën dorëzuar pranë KAS, PD-ja shtron 3 argumente në bazë të të cilat kërkon që koalicioni të zhbëhet.

Pika e parë ku ndalet PD është fakti se kërkesa për koalicion nuk është dorëzuar në afatin e përcaktuar nga KQZ.

“Komisionit Rregullator, ka përcaktuar qartë afatin për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve, 24 ore pas miratimit të kërkesave të partive politike, që përkon me datën 03.02.2022. Ne këtë datë, asnjë subjekt zgjedhor nuk ka paraqitur kërkesën për regjistrim si koalicion zgjedhor. Në këtë kuptim, kjo kërkesë është bëre jashtë afatit ligjor”, argumenton PD.

PD argumenton se Komisioni i Rithemelimit ka përdorur simbole të ngjashme me të duke theksuar se nuk figuron i regjistruar si një subjekt zgjedhor apo parti politike.

“Kërkesa dhe marrëveshja përmbajnë referenca te Partia Demokratike e Shqipërisë, në kushtet kur kjo e fundit as nëpërmjet kryetarit të saj apo ndonjë personi tjetër te autorizuar nga ana e tij, nuk shprehur vullnetin për të qenë pjesëmarrëse në këtë koalicion”, shkruan PD.

Nga ana tjetër, PD shkruan se kur ‘Rithemelimi’ është përjashtuar nga marrëveshja, mbetet e paqartë se cila parti do të propozojë kandidatët.

“Në kushtet kur subjekti "Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit" është përjashtuar nga marrëveshja, mbetet e paqartë se cila parti politike do te propozoje kandidatet e koalicionit”, shkruan PD.

Të fundit