Flash News

E-TJERA

Premtonin viza dhe pasaporta shqiptare për shtetas të huaj, arrestohen tre persona

Premtonin viza dhe pasaporta shqiptare për shtetas të huaj, arrestohen

Tre persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi premtonin viza e pasaporta shqiptare për shtetas të huaj, për 1000 deri në 1500 euro. Në kuadër të operacionit "Visa" janë vënë në pranga shtetasit me iniciale D. Ç., 39 vjeçe, E. A., 32 vjeç dhe A. D., 36 vjeç, të tre banues në Tiranë.

"Arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi shtetasja D. Ç. (e dyshuar si organizatore), nëpërmjet kamuflimit me një aktivitet tjetër tregtar, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë, u ka premtuar disa shtetasve të huaj pajisjen e tyre me dokumentacion si viza, leje qëndrimi dhe përfitimin e shtetësisë shqiptare kundrejt shumave të konsiderueshme që varionin nga 1000 deri 1500 euro." -thuhet në njoftimin e policisë.

Uniformat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pasportë që i përket një shtetasi të huaj, një vizë e dyshuar e falsifikuar, dy aparate celular dhe dokumente të ndryshme në funksion të aktivitetit kriminal.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale "Falsifikimi i dokumentave", “Falsifikimi i vulave stampave, formularëve ose vizave”, “Fshehja e të ardhurave" dhe "Shpërdorim detyre”, në ngarkim të 3 shtetasve të lartpërmendur.

Të fundit