Flash News

E-TJERA

Presidenca u përgjigjet mediave greke pas akuzave për provokime: Meta nuk jep llogari para asnjë ambasade, vetëm në Kuvend

Presidenca u përgjigjet mediave greke pas akuzave për provokime: Meta

Presidenca ka reaguar pas akuzave për provokim të mediave greke ndaj Kreut të Shtetit Ilir Meta. Institucioni i presidencës bën me dije se Meta ka qenë i ftuar për ta vizituar ekspozitën e organizuar nga akademia “Rrënjët Tona” dhe shoqëria civile.

"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë", thuhet në reagim.

Presidenca përgjigjet prerë, duke thënë se çdo shtet serioz duhet ta ketë të qartë se Meta nuk jep llogari për qëndrimet e tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë dhe se çdo sqarim i përfaqësive të huaja duhet të ndiqet përmes rrugës zyrtare.

"Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme", thuhet më tej.

Zëdhënësi Tedi Blushi thekson se Meta ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Të fundit