Flash News

E-TJERA

Presidenti i ri/ Spiropali: Berisha i vetpërjashtuar; PD: Lojë me opozitë të emëruar të Ramës

Presidenti i ri/ Spiropali: Berisha i vetpërjashtuar; PD: Lojë me

PS është shprehur e prerë se nuk do të ketë negociata me Sali Berishën në procesin e negociatave për presidentin e ri.

Elisa Spiropali, pjesë e grupit të PS për zgjedhjen e presidentit, shkruan në rrjetet sociale se Berisha është i përjashtuar në këtë proces.

“Sali Berisha është vetpërjashtuar nga një proces ku nuk e ka ftuar askush dhe ku askush nuk ka pasur asnjë plan për ta ftuar! Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës nuk parashikon pjesëmarrjen e të vdekurve që nuk vdesin”, shkruan Spiropali.

Sot, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali, pjesë e grupit negociator janë parë në kryesinë e Kuvendit sëbashku, e po ashtu u raportua se në të njëjtin ambient ka shkuar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, por asnjë nga palët nuk ka konfirmuar që të ketë pasur një takim mes tyre.

Reagon PD: Lojë e turpshme me opozitë të emëruar të Ramës

PD denoncon takimin e Enkelejd Alibeaj me trojkën Balla–Gjiknuri–Spiropali për përzgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe thekson se Takimi i Alibeajt është me zero efekt për Partinë Demokratike dhe grupin e saj parlamentar. Sipas PD, deputetët e saj nuk do votojnë kurrë për President kandidatë të Edi Ramës apo të kulisave të tij të gatuar me opozitë të emëruar.

“Partia Demokratike, dënon me ashpërsinë më të madhe lojën me opozitë të emëruar të Edi Ramës si një lojë e turpshme, antidemokratike dhe destabilizuese.
PD denoncon takimin e Enkelejd Alibeaj me trojkën Balla–Gjiknuri–Spiropali për përzgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Me këtë rast, Partia Demokratike thekson se Enkelejd Alibejaj nuk ka asnjë mandat, as nga Partia Demokratike, e as nga kryesia e grupit dhe grupi i saj parlamentar për të marrë pjesë dhe përfaqësuar ata në negociatat me përfaqësuesit e Edi Ramës.

Takimi i Alibeajt është me zero efekt për Partinë Demokratike dhe grupin e saj parlamentar. Ai ka shkuar në takim i përzgjedhur haptas nga Taulant Balla.

Së fundi, Partia Demokratike deklaron se qëndrimi i kësaj Partie dhe grupit të saj parlamentar në lidhje me këtë çështje do të vendoset vetëm nga forumet më të larta të saj. Në çdo rast, ky qëndrim do të jetë ai i një opozite të vërtetë.
Deputetët e saj nuk do votojnë kurrë për President kandidatë të Edi Ramës apo të kulisave të tij të gatuar me opozitë të emëruar”, deklaron PD.

Më herët, kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla ka deklaruar se brenda datës 24 maj do të bëhet me dije emri i Presidentit/ Presidentes së re të Republikës së Shqipërisë. Ndërsa Gjiknuri ka thënë se mundësitë që në krye të shtetit të jetë një grua, janë të mëdha.

Ndërkohë, të shtunën Berisha u shpreh nga Shkodra se nuk ka ndërmend të përfshihet dhe se nuk do të propozojë asnjë emër për presidentin e ri. 

Të fundit