Flash News

E-TJERA

Programi qeverisës miratohet pa debat, BE kritikon mungesën e dialogut: Shqiptarët u privuan nga informimi

Programi qeverisës miratohet pa debat, BE kritikon mungesën e

Seanca plenare e djeshme u shoqërua me tensione, pasi opozita protestoi për video-mesazhin e ministres virtuale, Diella, në Kuvend. Reagimi i opozitës nxiti Ramën të urdhëronte votimin automatik të programit qeverisës, të cilin as nuk e prezantoi për qytetarët.

Të pranishëm në seancën e tensionuar ishin edhe diplomatët e huaj.

Në një reagim për mediat, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur rezerva dhe kritika mbi mënyrën e votimit të programit qeverisës dhe zhvillimit të seancës plenare.

Delegacioni i BE kritikon indirekt mënyrën e miratimit të programit nga mazhoranca dhe thekson nevojën për dialog dhe debat gjithëpërfshirës, duke e lidhur këtë me procesin e integrimit.

REAGIMI:

Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu.

Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.

Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit.

Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE.

Të fundit