Flash News

E-TJERA

Rezultatet në shkolla, si po e pengon politika arsimin

Rezultatet në shkolla, si po e pengon politika arsimin

Në emisionin Money në Euronews Albania u analizuan këtë të shtunë disa nga faktorët që mund të kenë ndikuar në përkeqësimin e rezultateve të performancës së 15-vjeçarëve shqiptarë në testimin e PISA-s.

Shqipëria renditet e parafundit në rajon, pothuajse në të njëjtin nivel me Maqedoninë e Veriut. Në Ballkanin Perëndimor, rezultatet më të larta janë arritur në Serbi e Mal të Zi. Ndërkohë, Kosova ka ecurinë më të dobët në testin PISA, dhe për disa nga ekspertët vendas, përveç pandemisë, problemi duhet parë edhe tek ndryshimet e qeverive.

Specialistja e Arsimit Irida Sina deklaroi në Money se nëse arsimi do të ishte i pavarur nga politika, rezultatet e PISA-s do të ishin ndryshe.

“Në qoftë se arsimi do të kishte qenë kaq i pavarur nga politika, këto rezultate nuk do t’i kishim sot. Ka qenë dhe uroj të mos jetë në vazhdim, në mënyrë që mësuesi të flasë dhe të shprehë mendimet e veta sepse vetëm kështu mund të ndryshojmë arsimin”, tha ajo.

Pedagogia Majlinda Keta u shpreh se mësuesit dhe drejtuesit e shkollave nuk duhet të ndërrohen sa herë kemi rotacione politike.

“Unë uroj që analizën e PISA-s 2022 ta bëjë parlamenti shqiptar, i cili duhet të riamendojë ligjin e arsimit parauniversitar, për ta bërë realisht funksionale mosndërhyrjen e politikës në arsim, që do të thotë politika të mos guxojë të ndërrojë drejtuesit në arsim, sapo ndodhin rotacione politike, për të mos folur për rastin e së majtës, ku ndërrohen ministrat dhe drejtuesit së bashku me enturazhet e tyre”, tha ajo.

Sakaq Gerti Janaqi, drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit, tha se reformat duan mbi 15 vite të japin rezultate.

“Nuk mendoj se lëvizjet në qeveri prekin rezultatet e një sistemi arsimor. Investimi në arsim, frytet i jep shumë vonë. Ekspertët thonë se frytet dalin pas 15-20 vitesh. Arsimi është ndryshim mendësisë”, tha ai./ Euronews Albania

Të fundit