Flash News

E-TJERA

Rreth 80 mijë fletë të pavlefshme, Braho për Politiko: Modeli me numra ishte akti më i rëndë; tregon nëse do të rinumërohen

Rreth 80 mijë fletë të pavlefshme, Braho për Politiko:
Ledio Braho

Në zgjedhjet që u zhvilluan më 25 prill rezultoi një numër i lartë fletësh të pavlefshme, rreth 80 mijë. Anëtari i Komisionit të Ankesave në KQZ, Ledio Braho në një intervistë për Politiko.al se arsyeja e kësaj shifre të lartë është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, në një kohë shumë të shkurtër para zgjedhjeve.

Ai evidentoi gjithashtu vonesën e përcaktimit të modelit të fletës së votimit, ndërsa theksoi se varianti me numra ishte "akti më i rëndë" që shkaktoi konfuzion te votuesit. Braho tregoi në mënyrë të detajuar edhe paqartësitë që krijoi fleta e votimit me numra.

Sa i përket rinumërimit të fletëve të pavlefshme, ai tha se KQZ do të shqyrtojë të gjitha pretendimet e subjekteve politike dhe më pas do të vendosë për rinumërimin ose jo të tyre.

Lidhur me akuzat se ka pasur shkelje gjatë numërimit të votave, anëtari i KAS-it, u shpreh se në këto zgjedhje është me e lehtë për t'i evidentuar rastet e tilla, pasi ka filmime.

Intervista e plotë:

Një numër tejet i lartë i fletëve të pavlefshme në këto zgjedhje, cila ka qenë arsyeja kryesore? A ka shkaktuar konfuzion te zgjedhësit varianti i fletës me numra, mund ta quajmë të dështuar?

Në zgjedhjet për Kuvend të vitit 2017 numri i fletëve të pavlefshme ka qenë më pak se 2%, ndërkohë që në zgjedhjet që sapo zhvilluam ishin në masën 5%. Për mendimin tim arsyet kryesore kanë të bëjnë me ndryshimin e sistemit zgjedhor në një kohë shumë të shkurtër para datës së zgjedhjeve si dhe miratimi i fletës së votimit që po ashtu u krye shumë vonë.

Mosmiratimi në kohë i fletës së votimit shkaktoi shumë konfuzion për shkak se subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre ishin të paqartë me mënyrën se si do të zhvillonin fushatën zgjedhore për veten dhe subjektin zgjedhor që përfaqësonin. Më tej, miratimi i fletës me numra ishte akti i fundit dhe më i rëndi që shkaktoi konfuzion te votuesit. Fakti që nga zgjedhjet e 2017 te ato të 2021, numri i fletëve të votimit të pavlefshme u rrit me 50 mijë, është një tregues i qartë që ky model flete votimi dështoi në raport me vullnetin e zgjedhësve.

Nëse i referohemi neneve 67 pika 4, 106 pika 1 dhe 117 pika 2 të Kodit Zgjedhor del qartë fryma e kodit pasi kudo përmendet termi “kandidat”, çka do të thotë se si kandidat, me emër dhe me mbiemër, do të duhet të identifikohet edhe në fletën e votimit, aq më tepër kur vetë kodi nuk përcakton ndonjë detyrim shtesë, si në rastin e Republikës së Kosovës, për informacion të detajuar dhe të miratuar njësoj si për fletën e votimit për zgjedhësin në qendrën e votimit.

Përdorimi i numrave në mënyrë të parregulluar me akt normativ në fletën e votimit sjell paqartësi dhe konfuzion në kuptim të detyrimeve të vendosura në nenet 97 dhe 98 të Kodit Zgjedhor për aq kohë sa i njëjti numër mund të identifikojë dhe një subjekt zgjedhor e po ashtu dhe një kandidat, apo që kandidatë të ndryshëm në qarqe të ndryshme kanë të njëjtin numër në fletën e votimit, çka realisht e bën krejtësisht të pamundur fushatën zgjedhore me numra në media dhe për më tepër në kohë pandemie kur dhe fushata zgjedhore po zhvillohet në kushte të tjera nga ato normale. A mund të konsiderohet se po ushtrohet sipas Kushtetutës e drejta për t’u zgjedhur kur me të njëjtin numër janë disa kandidatë që bëjnë fushatë zgjedhore në media në qarqe të ndryshme dhe kur njëkohësisht e drejta për t’u grumbulluar në aktivitete politike është e kufizuar për shkak të situatës së pandemisë?! Rasti i Republikës së Kosovës është i ndryshëm dhe në këtë pikë, pikërisht që mos të sjellë paqartësi dhe konfuzion te zgjedhësit.

Numri i subjekteve zgjedhore fillon nga 111 e në vijim, ndërkohë që numri i kandidatëve në fletën e votimit sipas sistemit zgjedhor proporcional kombëtar (me 1 zonë dhe jo 12 zona të ndryshme si në rastin tonë) fillon nga 1 deri në 110 në mënyrë që gjatë fushatës çdo kandidat të ketë një numër të ndryshëm nga kandidati tjetër brenda të njëjtit subjekt zgjedhor, por dhe një numër të ndryshëm më subjektin zgjedhor. Sistemi ynë zgjedhor nuk ka asnjë parashikim të tillë ndaj p.sh. me numër 3 mund të identifikosh një subjekt zgjedhor, por dhe dymbëdhjetë kandidatë të po të njëjtit subjekt zgjedhor në zona zgjedhore të ndryshme, por që mund të bëjnë fushatë në të njëjtat media.

A do të rikthehen për rinumërim fletët e pavlefshme?

Në lidhje me këtë çështje, nuk mund të jap një përgjigje apriori, pasi Kodi Zgjedhor e ka të parashikuar procedurën që mund të ndiqet nga subjektet zgjedhore apo KQZ kryesisht për këqyrjen e materialit zgjedhor dhe fletëve të votimit. Në vijim, pas miratimit të tabelave përfundimtare të rezultateve për çdo zonë zgjedhore nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, do të shqyrtohen të gjitha pretendimet e subjekteve zgjedhore apo ato çka KQZ do të kërkojë të këqyrë kryesisht dhe patjetër që do të mund të rivlerësohen fletët e votimit e nëse ka ndryshime në rezultatin zgjedhor, ato do të reflektohen.

Opozita ka hedhur akuza për manipulim gjatë procesit zgjedhor nga ana e komisionerëve, a ka evidentuar KQZ raste të tilla dhe si e komentoni këtë shqetësim të opozitës?

Është ende herët për të arritur në konkluzione në lidhje me ushtrimin e detyrës nga ana e komisionerëve të KQV-ve, GNV-ve apo KZAZ-ve. Sot që flasim jemi ende në fazën që sapo ka mbaruar numërimi dhe po dorëzohen materialet zgjedhore dhe kutitë e votimit nga KZAZ-të në drejtim të KQZ-së.

Do të jetë shqyrtimi i kërkesave ankimore të subjekteve zgjedhore që do të nxjerrë në pah edhe sjelljen e komisionerëve gjatë administrimit zgjedhor nga dita e votimit deri në numërimin e votës së fundit si për subjektet zgjedhore ashtu dhe për kandidatët e tyre.

Ajo çka është pozitive dhe risi për këto zgjedhje, ka të bëjë me faktin se mundësia për të provuar shkeljet nga ana e komisionerëve ështës humë më e madhe se në zgjedhjet e kaluara pasi ka filmime për çdo qendër votimi, çdo tavolinë numërimi dhe çdo fletë votimi, çka i jep mundësinë çdo subjekti zgjedhor për të hetuar paraprakisht gjithë procedurën e administrimit zgjedhor. Po ashtu edhe identifikimi biometrik i jep mundësinë subjekteve zgjedhore dhe KQZ-së për t’u informuar në lidhje me votimin e shumëfishtë nga persona të identifikueshëm. Janë të gjithë këto elementë që kësaj here do të bëjnë transparencë maksimale për procesin zgjedhor.

Gjithsesi, duhet të mbajmë parasysh që këto garanci vlejnë vetëm për fazën nga momenti që votuesi hyn në qendrën e votimit e deri në leximin e votës nga numëruesit. Faza paraprake që është ajo e vullnetit të votuesit që mund të cënohet para se të hyjë në qendrën e votimit, është kompetencë e SPAK dhe prokurorive të rretheve, ndaj kemi të bëjmë me një proces kompleks që ka nevojë të hetohet administrativisht, por dhe penalisht për aq sa është denoncuar nga subjektet zgjedhore dhe nga media./J.S

Të fundit