Flash News

E-TJERA

Korrupsion e kontrabandë në Morinë-Vërmicë/ Arrestohen 31 policë kufitarë, pezullohen 3 të tjerë

Korrupsion e kontrabandë në Morinë-Vërmicë/ Arrestohen

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion për zyrtarët e pikave doganore të përshirë në veprat penale “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mediet kosovare raportojnë se operacioni u zhvillua në Vërmicë, ndërsa paraprakisht mësohet të jenë arrestuar të gjithë udhëheqësit e Policisë Shqiptare.

Inspektorati Policor i Kosovës bën me dije përmes një njoftimi se arrestimi i zyrtarëve shqiptarë dhe të Kosovës, vjen pas një hetimi një vjeçar, në bashkëpunim me SPAK dhe AMPP në Shqipëri.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.
Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.

Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri).
IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor”, njoftoi Inspektorati Policor i Kosovës.

SPAK ka dalë me një reagim zyrtar duke komunikuar se janë regjistruar të paktën 312 raste të korrupsionit nga drejtuesit e policisë kufitare, ndërsa njofton se janë dhënë 34 masa sigurimi personal, prej të cilave 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës.

Përkatësisht janë dhënë: “Arrest në burg” për 17 persona (punonjës policie); “Arrest në shtëpi”, për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie); “Pezullim nga detyra”, 3 persona (punonjës policie).

“Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Pas një hetimi objektiv dhe të gjithëanshëm, me kërkesë  të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  parashikuar nga neni 248, 259, 25  dhe 245/1 të Kodit Penal”, njofton SPAK.

Të fundit