Flash News

E-TJERA

Sa kushton çanta e ditës së parë të shkollës në Shqipëri?

Sa kushton çanta e ditës së parë të shkollës

 

Me fillimin e muajit shtator, bankat e shkollës hapin dyert për mijëra nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe gjimnazit në të gjithë vendin. Emocionet e fëmijëve që nisin një kapitull të ri të dijes janë të pandashme nga përgatitjet intensive që shoqërojnë këtë periudhë. Por për prindërit, ky moment shënon jo vetëm një fazë të re në jetën shkollore të fëmijëve, por edhe një barrë të ndjeshme financiare.

Sipas një analize të publikuar nga Scan, edhe pse librat për arsimin 9-vjeçar ofrohen falas nga shteti, shpenzimet nuk mbarojnë këtu. Ato vijojnë me blerjen e çantave, fletoreve, veshjeve dhe mjeteve të tjera shkollore që janë të domosdoshme për nisjen e vitit të ri.

Një nga artikujt bazë është çanta shkollore, e cila varion nga 1,500 lekë për modelet më të thjeshta, deri në 9,000 lekë për markat cilësore dhe më të qëndrueshme. Fletoret, gjithashtu të domosdoshme, kushtojnë nga 20 deri në 90 lekë secila, ndërsa fletoret e vizatimit nga 50 deri në 300 lekë. Për një nxënës mesatarisht duhen të paktën 10 fletore, çka përkthehet në një kosto prej rreth 550 lekësh.

Për fëmijët e ciklit të ulët, përparësja është e detyrueshme në shumë shkolla, me një çmim rreth 2,500 lekë. Në disa institucione kërkohet uniformë e personalizuar, e cila sjell një kosto të ngjashme.

Listës i shtohen edhe mjete të tjera si portofoli (300–1,500 lekë), seti i vizoreve (250–400 lekë), lapsat (50 lekë copa), goma (20 lekë), kompasi (80 lekë), raporteri (40 lekë) dhe korrektorët (200 lekë). Pa harruar mjetet e ngjyrosjes si plastelina, bojëra, paleta ngjyrash, ngjitës apo lapustila që nisin nga 20 lekë dhe mund të arrijnë në disa qindra lekë.

Në total, kostoja e përgatitjeve për ditën e parë të shkollës varion nga 6,000 lekë për një paketë bazike, deri në 15,000 lekë për një paketë më të plotë dhe cilësore. Nëse një familje ka dy ose më shumë fëmijë, kjo shumë shumëfishohet, duke e kthyer shtatorin në një nga muajt më sfidues për buxhetin familjar.

Të fundit