Flash News

E-TJERA

Serat e kanabisit në Berat, GJKKO kalon pas 9 muajsh dosjen për gjykim

Serat e kanabisit në Berat, GJKKO kalon pas 9 muajsh dosjen për gjykim

Gjykata e Posaçme (GJKKO), pas rreth 9 muaj, ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dërguar për gjykim dosjen me 17 të pandehur për serat ku kultivohej kanabis të zbuluara në vitin 2022 midis fshatrave Rërëz dhe Drenovicë të Beratit, ku nën hetim kanë qenë gjithsej 113 persona.

SPAK kishte përfunduar hetimet paraprake dhe kishte dërguar dosjen për gjykim që në fillim të Janarit, por vendimi për ta kaluar për gjykim “grupin e drogës” është marrë këtë të premte nga gjyqtarja e GJKKO-së Flojera Davidhi.

Të pandehurit janë marrë shtetasit: Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj, Mirvaldo Disha, Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema.

Ata akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve dhe municionit”.

Ndërkohë, vlen të theksohet fakti se Prokuroria e Posaçme shpalli moskompetencë për 93 gra dhe vajza, të cilat punonin në serat me kanabis, ndërsa për tre të tjerë të hetuar aktualisht, janë ndarë aktet hetimore më vete, pasi sipas SPAK, hetimet përfshijnë edhe persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar saktësisht.

Sipas organit të akuzës, ata i kanë kryer veprimet në zonën e Rërës, Drenovicë (Berat), në një hapësirë toke nga 10 deri në 20-27 dynym, ku janë gjetur katër sera të mbyllura me plastmasë dhe të instaluara linja elektrike dhe furnizimi me ujë, përmes një pompe thithëse që furnizohej nga një kanal vaditës përballë serave.

“Organizimi i aktivitetit kishte nisur në Dhjetor të vitit 2021, ndërsa u shtri gjatë periudhës Qershor-Nëntor 2022 dhe më datë 10 Nëntor të atij  viti u gjetën dhe u sekuestruan sasia prej 871.4 kg kanabis (produkt bime “canabis sativa L”), e cila u zbulua në 769 arka plastike dhe brenda 11 thasëve prej plastmasi ngjyrë të zezë, gjithashtu u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri dhe municion luftarak. Nga aktiviteti rezulton të jetë përftuar në total një sasi prej 1.7-1.8 ton kanabis sativa.” – thuhet më njoftimin e SPAk.

Të fundit