Flash News

E-TJERA

Sherri në Juventus-Inter, Komisioni i Disiplinës merr vendimin për lojtarët e të dyja skuadrave

Sherri në Juventus-Inter, Komisioni i Disiplinës merr vendimin

Gjysmëfinalja e Kupës së Italisë Juventus-Inter u mbyll me tensione dhe përplasje fizike mes disa prej lojtarëve të të dyja skuadrave. Goli i barazimit me penallti të Romelu Lukakut shkaktoi irritim tek tifozët dhe lojtarët e Juventusit, për shkak të festimit që bëri sulmuesi belg.

Lukaku po ofendohej me kore raciste dhe ai ua ktheu “reston” me një festim provokues, gjë që bëri gjyqtarin që t’i jepte kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht ai u përjashtua nga loja.

Nuk mbaroi këtu, por dhe kapiteni i Interit , Handanoviç u përlesh me mesfushorin e Juventusit, Cuadrado me të dy lojtarët që u ndëshkuan me të kuq.

Si rjedhojë e kësaj ngjarjeje Komisioni i Disiplinës në Federatën Italiane ka dhënë 3 ndeshje pezullim për Juan Cuadradon e Juventusit si dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh. Saktësohet se ai ka mbërthyer për fyti një kundërshtar dhe i ka drejtuar grushtin fytyrës duke tentuar ta qëllojë, i ndalur vetëm nga ndërhyrja e shokëve të skuadrës.

Për kacafytje me kapje nga fyti dhe gjobë 10 mijë euro është ndëshkuar edhe Samir Handanoviç i Interit, i cili u përlesh pikërisht me Cuadradon, edhe ai i shpëtuar nga sanksione më të rënda pasi është ndalur nga shokët e skuadrës së tij.

Ndërkohë, një ndeshje pezullim është dhënë për Romelu Lukakun, pasi në raport vlerësohet se i kuqi ka qenë pasojë e dy kartonëve të verdhë si rrjedhojë e “sjelljes së gabuar ndaj një kundërshtari dhe sjelljes së parregullt në fushë”.

 

Të fundit