Flash News

E-TJERA

Shifrat rekord nga Covid-19, Meta apel qeverisë: Pandemia po del jashtë kontrollit, duhet urgjent strategji e re 

Shifrat rekord nga Covid-19, Meta apel qeverisë: Pandemia po del
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me rritjen e numrit të humbjeve të jetëve dhe shifrave rekord të të infektuarve nga Covid-19 në vendin tonë ditët e fundit.

Sipas Metës, në një status në rrjetet sociale, pandemia po del jashtë kontrollit, ndaj për ta frenuar atë i bën apel qeverisë se duhet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase.

“I bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit”, shkruan Meta.

Postimi i plotë:

Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.

Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.

Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.

Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura.

Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.

Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.

Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.

Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.

Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.

Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme.

Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID.

Të fundit