Flash News

E-TJERA

Shkarkimi i mjekëve specializantë, Lapaj rendit shkeljet ligjore të Ministrisë: Maskarallëk! Të thuash jetoni 5 vite me frymën e shenjtë

Shkarkimi i mjekëve specializantë, Lapaj rendit shkeljet ligjore

Adriatik Lapaj, përfaqësuesi ligjor i mjekëve specializantë të shkarkuar nga puna, por dhe si një aktivist krah tyre, i ka kërkuar Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë të tërhiqen sa më parë nga vendimi që çdo mjek i cili është duke ndjekur studimet afatgjata në fushën e mjekësisë, duhet të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet e punës që ka me institucione shëndetësore publike ose private.

Në një prononcim për mediat, Lapaj tha se është e paprecedent dhe e cilësoi si një maskarallëk, sesi një shtet u kërkon mjekëve të rinj të specializohen për 4-5 vite për të shërbyer për të nesër dhe gjatë kësaj periudhe pretendojnë që ata të jetojnë me "frymën e shenjtë."

Për ta bërë edhe më të kuptueshme situatën, ai kujtoi se nuk po flasim për studentë, por  për moshë madhore, familjarë dhe kryefamiljarë.

Ai renditi më pas dhe shkeljet ligjore që ka bërë Ministria e Shëndetësisë, ku e para sipas tij është se ata kanë pasur kontrata individuale me kohëzgjatje të ndryshme, ndërsa MSH i heq në bllok në të njëjtën kohë.

Lapaj tha se kësaj çështje do i shkohet deri në fund, pasi sipas tij është kauzë e drejtë

"Dua t'i them të gjithë qytetarëve, prindërve që kanë fëmijët në gjimnaze, në 9-vjeçare dhe që  mendojnë të vazhdojnë studimet në këtë vend, që këta konsiderohen ajka e studentëve shqiptarë. Në Fakultetin e Mjekësisë shkojnë më të mirët e për pasojë, sakrifica që këta kanë bërë dhe bëjnë është e  jashtëzakonshme. Dhe ti thuash specializantëve, të cilët përgjithësisht kur bëjnë specializimin janë në një moshë të avancuar. Nuk janë studentë 18, 19 vjeçarë që ndoshta mund t'i mbajnë familjet e tyre. Të thuash që bëni 4 ose 5 vite specializim, duke jetuar me frymën e shenjtë është në rastin normal paaftësi, në rastin e keq është maskarallëk. Këta janë kategoria më e mirë e shtetit shqiptarë, të cilëve po u thuhet specializohuni ju për ne nesër , por ndërkohë fëmijët tuaj të hanë ajër për këto katër vite dhe kjo është e padrejtë.

Qeveria këtu duhet të tërhiqet me patjetër. Sa i përkon aspektit ligjor, cili nga këta kanë kontratë pune individuale për veç se si kolektiv, duhet të kishin një kontratë kolektive me të gjithë institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë. Por secili nga këta ka lidhur një kontratë individuale, që ka afate të ndryshme, kohë të ndryshme të lidhjes, kohëzgjatje të ndryshme. Jemi përballë faktit, ku Ministria e Shëndetësisë i heq në bllok, shkelja e parë.

Shkelja e dytë është, duke qenë se hiqen më shumë se 20 punonjës nga puna do të thotë heqje kolektive nga puna. Dhe për pasojë kolektivi përcakton qartë se me përfaqësinë e tyre duhet te negociohet, jo për pak ditë. Bëhet fjalë për muaj, për të gjetur një rrugë ku të gjitha  palët të arrijnë në një dakordësi. I është dërguar një shkresë Ministrisë së Shëndetësisë dhe unë ju them që me përgjegjësi të plotë do e çojmë këtë çështje deri në fund. Do e çojmë këtë çështje deri në fund dhe pa shkuar në gjykatë, sepse është një kauzë e drejtë. Shqiptarët nuk e kanë luksin që të dërgojnë 1.000 mjekë në rrugët e Evropës.

I bëj thirrje Ministres së Shëndetësisë t'i presë mjekët në takim, të reflektojë. Paguaje biletën e autobusit me frymën e shenjtë, paguaje bukën e përditshme me frymën shenjtë. E katandisin kategorinë, që të vetmen rrugë të shikojnë emigrimin." - u shpreh Lapaj.

Të fundit