Flash News

E-TJERA

Shkolla nisi, ChatGPT gati për të bërë detyrat e shtëpisë dhe provimet

Shkolla nisi, ChatGPT gati për të bërë detyrat e

 “A i ke bërë detyrat e shtëpisë?”, kjo ka qenë pyetja kryesore në thuajse çdo orë mësimi në vitet e mëparshme nëpër shkolla, si nga ana e mësuesve apo dhe nëpërmjet nxënësve.

Nëse dikur kishte nxënës që mund të përgjigjeshin JO, sot të gjithë thërrasin njëzëri: Po, i kemi bërë të gjitha. Na i ka bërë “ChatGPT-ja”.

Në fillim dukej si lojë, argëtuese, një mjet që mund të ndihmonte në sqarimin e një ushtrimi matematike, shpjegimin e një ngjarjeje historike apo përmbledhjen e një teksti letrar.

 Por me kalimin e kohës, ndihma u kthye në zëvendësim. Eseja nuk shkruhet më nga nxënësi, por nga inteligjenca artificiale, problemi i matematikës nuk mendohet më, por kopjohet, dhe kur vjen momenti i provimit, shumëkush shpreson që një “truk teknologjik” të bëjë mrekullinë. (Këtu futet në punë dhe lutja që mësuesi mos të kuptojë që e ke telefonin me vete.)

Ironia është therëse. Teknologjia që u shpik për të hapur mendjen, po përdoret për ta mbyllur atë. Ajo që duhej të ishte mjet për kureshtje,  për ndihmë po kthehet në strehë për përtacinë.

Në vend që të nxisë mendimin kritik, shpesh e zëvendëson atë me përgjigje të gatshme.

Në këtë realitet të ri, shkolla përballet me një sfidë të dyfishtë. Nga njëra anë, duhet të adoptojë teknologjitë e reja si pjesë të natyrshme të procesit mësimor.

Nga ana tjetër, duhet të luftojë për të mbrojtur thelbin e saj: formimin e mendjes kritike, ndërtimin e karakterit dhe edukimin për punë e përpjekje.

Dhe me këtë ritëm, mendimi i pavarur do të mbetet gjithmonë “provimi” më i vështirë./ N.F

Të fundit