Flash News

E-TJERA

Shqipëria shënon sot 12 vjetorin e anëtarësimit në NATO, si nisi rrugëtimi

Shqipëria shënon sot 12 vjetorin e anëtarësimit në
Foto ilustruese

Shqipëria shënon sot 12 vjetorin e anëtarësimit të saj në  Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Pas plotësimit të të gjitha protokolleve, vendi ynë u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa momente kryesore, që fillon me vitin 1992, ku vendi pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut. NACC ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën Lindore dhe Evropën Qendrore.

Në periudhën 1992-1999, Shqipëria vazhdoi përpjekjet rreth procesit të aderimit, duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t'i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë.

Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë. 

Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Para dhe pas anëtarësimit, Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO. Vendi ynë është bërë pjesë e shumë operacioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan.

Të fundit